AlbanianSport.com 06.08.2015 13:45
ASNN – Ndërkohë skuadrat e futbollit të meshkujve është ende në ajër, për shkak të konstituimit të Këshillit Bashkiak dhe nisjen e punës nga kryetarja e re e Bashkisë, Vllaznia tjetër, skuadra “kampione” në fuqi e futbollit të femrave, tashmë është thuajse gati për pjesëmarrjen e saj në eliminatoret e Ligës së Kampioneve.
Prej afro një jave, lojtaret dhe stafi teknik janë grumbulluar nga presidenti Lazër Matija në pikën turistike të Zogajve në qytetin e Shkodrës dhe do të qëndrojnë atje deri në datën 9 gusht. Pikërisht në këtë datë, ekipi shkodran do të lërë Zogajn dhe do të niset drejt Bosnjë-Hercegovinës, ku do të zhvillohen ndeshjet eliminatore.
Në këtë veprimtari të rëndësishme, presidenti Matija ka bërë disa ndryshime duke forcuar ekipin e tij, duke filluar me ndërrimin e trajnerit, ku në vend të Selami Pepës ka ardhur Nikolin Leka. Po ashtu pjesë e Vllaznisë do jetë edhe një prej futbollisteve më të mira, Ambra Gjergji.
Me vajzat kuqeblu janë afruar edhe disa futbolliste nga Kosova, si dhe portierja e Maqedonisë, Frosko Kostova. Skuadra shkodrane do të jetë në një grup me ekipin “kampion” të Turqisë, Konak Beledijesporit, kampionet e Bosnjë-Hercegovinës, WFC SFK 2000 Sarajevo, dhe ato të Bjellorusisë, ZFK Minsk.
Ndeshja e parë për Vllazninë do të luhet më 10 gusht me skuadrën vendëset. Sezonin e kaluar, ekipi kuqeblu ishte shumë pranë një kualifikimi historik, por u eliminua nga mungesa e fatit, por edhe e përvojës, ndërsa këtë sezon synon një paraqitje edhe më dinjitoze, duke patur parasysh edhe përforcimet.