Gjergj Vyshka 06.08.2015 09:35
Ashtu sikurse të gjitha shtetet e globit, edhe Shqipëria është pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Notit, i cili ka nisur më 24 korrik në Kazan të Rusisë dhe përfundon të dielën. Shqipëria përfaqësohet me katër notarë, të cilët janë Noel Borshi, Nikol Merizaj, Sidni Hoxha dhe Klavio Meçe. Në ditën e parë të aktivitetit si Meçe, ashtu dhe Borshi kanë dhuruar rekorde kombëtare për Shqipërinë.
Në dy konkurrimet sportistët tanë vendosën rekorde kombëtare respektive. Kështu në garën e 100 m stil flutur, Borshi realizoi kohën e përgjithshme 1’03”65 duke përmirësuar rekordin e mëparshëm kombëtar 1’04”29. Mes 69 konkurrentëve në disiplinë, sportistja shqiptare u pozicionua e 49-ta (+7.18 sekonda) nga koha më e mirë në kualifikuese e shënuar nga suedezja Sarah Sjostrom (56”47).
Gjithashtu ka qenë protagonist në premierën ruse edhe Meçe, prej kohësh i zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në disiplinën e tij të preferuar, 400 stil i lirë, Meçe regjistroi kohën e përgjithshme 4’08”18. Rekordi i mëparshëm ishte 4’12”38. Në përfundim të kualifikueseve, Meça zuri vendin e 54-t mes 58 garuesve. Diferenca mes shqiptarit dhe kinezit Jang San i vendit të parë ishte +23.19 sekonda.
Ndërkohë dje Sidni Hoxha në 100 metra stil i lirë jo vetëm që ka dalë i 46-ti mes 115 pjesëmarrësve, por dhe ka kapur normën B të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Koha e tij ishte 50”45. Kësisoj pjesëmarrja e notarëve tanë në Botërorin e notit duken dinjitoze krahasuar me kushtet e vështira ku ky sport ujor zhvillohet në Shqipëri.