AlbanianSport.com 05.08.2015 21:40
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat në Prishtinë, në vazhdën e memorandumeve të nënshkruara me disa federata të sportit të Kosovës, sot, në ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi mes MKRS-së dhe Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK).
Nëpërmjet këtij Memorandum Bashkëpunimi, MKRS-ja subvencionon FKK-në për pjesën e programit të këtij viti me 28,100 euro. Ndërkaq, duhet theksuar se shuma e përgjithshme me të cilën MKRS-ja ka ndihmuar këtë federatë gjatë këtij viti shkon afro 82 mijë euro.
Ministri Shala e përgëzoi FKK-në për punën dhe veprimtarinë e saj në fushën e karatesë dhe sukseset e treguara dhe konfirmoi mbështetjen e mëtejshme për të, si dhe shprehu përkushtimin e Ministrisë që drejton për të ndihmuar sportistin kosovar në rrugën e përparimit të mëtejshëm dhe rritjen e tij në planin ndërkombëtar.
Nga ana e tij, Kryetari i FKK-së, Fadil Arifi, e përgëzoi ministrin Shala për punën që po bën në fushën e sportit, sidomos me memorandumet, nëpërmjet të cilave po krijon lehtësira për veprimtaritë e federatave. Natyrisht, kjo shifër që Kosova akordon për këtë federatë, duhet të shërbejë si këmbanë për mbështetjen e sportit në Shqipëri.