AlbanianSport.com 05.08.2015 18:00
ASNN – Kombëtarja kuqezi vazhdon të ngjisë me hapa gjigandë renditjen botërore të FIFA-s dhe pritet që nesër të ngjitet në vendin e 22-të. Kjo renditje për muajin gusht ende nuk është publikuar nga vetë organizmi që qeveris futbollin botëror, i cili pritet ta bëjë këtë të enjten, por lajmi historik është përhapur si rrufe nëpër mediat sociale, aq sa edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, nuk i ka rezistuar tundimit për ta komentuar.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria është pranë kualifikimit për në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike, e më konkretisht Evropianit të 2016-tës, pasi renditet e treta në grupin I të eliminatoreve, në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka grumbulluar edhe Danimarka, por ekipi i drejtuar nga De Biazi ka zhvilluar një ndeshje më pak. Portugalia, me të cilën do të ndeshemi në shtator, gjendet në krye me 12 pikë, por më parë kemi një përballje “kokë më kokë” me Danimarkën në fushën e kësaj të fundit.
Këto takime do të jenë vendimtare për kualifikimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në Evropian, ose mbetjen në “play-off”, të cilin e kemi siguruar matematikisht. E gjithë kjo ecuri ka bërë që Shqipëria të ngjisë me hapa gjigandë renditjen botërore të FIFA-s dhe pritet që nesër të ngjitet në vendin e 22-të. Renditja e FIFA-s për ekipet kombëtare për muajin gusht ende nuk është zyrtarizuar nga vetë organizmi që qeveris futbollin botëror, i cili pritet ta publikojë pikërisht të enjten.
Por lajmi historik ka marrë dhenë nëpër mediat sociale, aq sa edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Xhovani De Biazi, nuk i ka rezistuar tundimit. Shqipëria pritet të renditet e 22-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërsa trajneri italian nuk mund të mos e shfaqte gëzimin në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar: “Vazhdon ngjitja në renditjen e FIFA-s për Shqipërinë, e cila gjatë muajit gusht kalon nga e 36-ta në botë, menjëherë në vendin e 22-të.”
“Janë parakaluar kështu kombëtare si Franca, Danimarka dhe Gana”, – shton italiani me pasaportë shqiptare. Për momentin, ndër kundërshtarët e grupit I të eliminatoreve për në “Euro 2016”, që do të zhvillohet në Francë, vetëm Portugalia renditet më sipër sesa Shqipëria në renditjen e FIFA-s.