Gjergj Vyshka 05.08.2015 17:05
Drejtoria e sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS), e cila drejtohet nga Vladimir Gjonaj, do të zhvendoset në ish-Kompleksin “Dinamo”, atje ku në fakt ndodhet një pjesë e mirë e Federatave Shumësportëshe, mjekësia sportive, si dhe Agjencia e Shërbimit të Sporteve. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga burime pranë sektorit që mbulon sportin në këtë Ministri.
E gjithë kjo zhvendosje, e cila tashmë ka nisur të bëhet fakt i kryer për shkak të bërjes gati të zyrave, duket se do të mund t’i japë jetë dhe idesë së shndërrimit të shpejtë të këtij kompleksi në një park të madh olimpik. Ajo që duhet thënë është fakti se drejtoria e sporteve ka qenë ngushtë në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve e kjo që nga koha e zhvendosjes më 2013-tën nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
E në këto kushte një ardhje e Drejtorisë së Sportit në kompleks do të jetë dhe një kontroll më shumë për të gjitha Federatat, po pse jo dhe për t’i bërë më aktive ato në punën e tyre të përditshme. Nuk duhet harruar që me idenë e parkut olimpik në ish-kompleksin “Dinamo” pritet të jetë dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar që prej dekadash gjendet në kryqëzimin e ish-“21 dhjetorit”.