AlbanianSport.com 05.08.2015 14:20
ASNN – Vladimir Djilas nuk u stërvit asnjë ditë në kryeqytetin shqiptar. Ndërsa mungesa e tij në seancën stërvitore të së martës binte në sy, klubi njoftoi zyrtarisht se i kishte “dhënë duart” serbit, duke zyrtarizuar se sulmuesi është larguar përfundimisht nga skuadra.
Shkëlqim Muçës i ka mjaftuar prezenca e tij në dy ditët e fazës stërvitore në Mavrovë dhe miqësorja e së shtunës së kaluar për të konstatuar se 32-vjeçari nuk i shërbente projektit bardheblu. Në këtë mënyrë Djilas është “postuar” sërish në Beograd me Tiranën që njoftoi prishjen e akordit duke i uruar “suksese në të ardhmen”.
Lajmi është pritur pozitivisht nga tifozët që kishin kontestuar zgjedhjen e klubit, kur u lajmërua përforcimi me Djilas, duke u shfaqur skeptikë mbi vlerat e tij sportive në moshën 32-vjeçare, ndërsa shumë prej tyre thjesht nuk dëshironin një sulmues serb në skuadër.