Gjergj Vyshka 05.08.2015 13:25
Shqipëria është rikthyer në pedanë, me konkurrimin në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për moshat e reja. Në fakt, Shqipëria ishte ndëshkuar pas rasteve të dopingut që çuar deri në pezullimin e shtangës kuqezi nga të gjitha aktivitetet.
Kështu, Kristi Ramadani, që vjen nga ekipi privat “Masglass”, ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në Evropianin Nën-15-vjeçarëve, i cili është duke u zhvilluar në Landskrona të Suedisë.
Përfaqësuesi i Shqipërisë në peshën 62 kg e ka nisur mirë shkëputjen, teksa në provën e parë ka ngritur 87 kg. Është rezultativ edhe në provën e dytë me 92 kg, por ka dështuar në tentativën e tretë për të ngritur 95 kg.
Është i 6-ti në shkëputje, por të njëjtin pozicion ka ruajtur dhe në shtytje, ndërsa ka ngritur në provën e parë 108 kg. Por më pas nuk ka ngritur dot dy herë 112 kg. Në total 200 kg dhe vendi i 5-të për të.