Gjergj Vyshka 05.08.2015 11:35
Kombëtarja e të rinjve në volejboll, e cila po vazhdon aktivitetin e saj në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 18 vjeç, që është duke u zhvilluar në Ankara të Turqisë, nuk ka mundur dot të bëjë përpara. Pas suksesit me Maqedoninë një ditë më parë, në gjysmëfinalet për vendet 5-7, tanët janë përballur me Bosnje-Hercegovinën. Një ndeshje e fortë, por që në fund është fituar nga boshnjakët pastër 3-0. Setet flasin për një farë ekuilibri, ndërsa boshnjakët kanë fituar 19-25, 22-25, 21-25.
Sipas zëvendëstrajnerit të skuadrës kombëtare të Shqipërisë, Dritan Bardhi, lojtarët kanë luajtur mirë deri në pikën e 18-të. “E më pas janë bërë gabime, të cilat na kanë kushtëzuar në humbjen e ndeshjes, sepse kundërshtari niste t’u shkëpuste pikërisht në pikët e fundit. Ndaj dhe u humb ndeshja”, theksoi trajneri i finalistëve të Kupës së Shqipërisë dhe surprizës të këtij sezoni, Farka Volejit.
Ndërkohë sot kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e tyre të fundit, e vlefshme për vendet 6-7, ndërsa do të jenë përballë Maqedonisë. Ajo që duhet theksuar është fakti se kombëtarja e të rinjve ka qenë e vetmja që ka pranuar të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, ndërsa grupmoshat e tjera, edhe për shkak të financave të dobëta të Federatës Shqiptare të Volejbollit, nuk kanë konkurruar.