AlbanianSport.com 04.08.2015 22:35
ASNN – Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka zbardhur vendimin në lidhje me ndeshjen e parë të raundit të tretë të Ligës së Evropës, midis Kukësit dhe Legias së Varshavës, e zhvilluar në “Qemal Stafa”. Ky takim u ndërpre në minutën e 52-të, pas goditjes së një lojtari polak nga tifozët. Sipas vendimit të UEFA-s, Kukësi ka humbur në tavolinë ndeshjen me rezultatin 3-0; është gjobitur me 70 mijë euro dhe dy ndeshjet e ardhshme evropiane do t’i luajë pa tifozë.
Megjithatë, nuk ka hequr dorë as tani nga ëndrra Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili kërkon kualifikim nga skuadra e tij në Poloni ndaj Legias, edhe pse UEFA ia humbi 0-3 në tavolinë ndeshjen e parë. Tepër ambicioz, ai u ka bërë thirrje për përmbysje të rezultatit që nuk u arrit në fushë, për të shkuar sërish në “play-off”. “Siç e dini, jam ende president i klubit të Kukësit dhe s’kam marrë ndonjë vendim, – tha kreu i skuadrës verilindore.
“Sot (e martë) kam mbledhur ekipin dhe u kam thënë se, nëse nuk kualifikohen në Varshavë, unë do të rishoh pozicionin tim për të vazhduar më tej ose jo investimin tim tek ekipi, – ka vijuar ai. – Na e ndërprenë ëndrrën në mes. Faktin se kush e ndërpreu duhet ta zgjidhim duke e diskutuar, por ata që e ndërprenë ëndrrën për në grupet e Ligës së Evropës, nuk e meritojnë që unë të vazhdoj të investoj për ta. Qofshin tifozë, sigurisht jo të gjithë por ata pak që i bëjnë të tilla gjëra.”
Nga rezultati në Varshavë, por sidomos nga loja, varet e ardhmja e tij si president i Kukësit. Gjici thekson se nuk ka kërkuar të bëhet president i Vllaznisë, ndonëse nuk e mohon se Shkodra do t’i pëlqente. Ndërkohë që, prej ditësh përflitet një interesim i tij për skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës, gjë që vetë Gjici thotë se nuk e ka ai interesin për të marrë asnjë skuadër, por nëse dikush ka ndërmend ta afrojë, ai është i gatshëm për bisedime.
“Unë nuk e kam kërkuar klubin e Vllaznisë, por e vlerësoj si një ekip me emër shumë të madh dhe që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, e vlerësoj si djepin e futbollit, por vlerësoj edhe tifozët, – tha ai. – Edhe Lushnja më ka kërkuar, por nëse Bashkia e Shkodrës më kërkon të ulemi në bisedime, jam i gatshëm.” Por situata te Vllaznia bëhet gjithmonë e më e vakët. Kryetarja e re e Bashkisë, Voltana Ademi, ende nuk ka marrë zyrtarisht mandatin, për të cilin parashikohet të betohet më 10 gusht.
Një afat, që shtyn edhe më tepër bisedimet, nëse do të kishte ndonjë interes për të afruar Gjicin, pasi koha nuk premton as për përforcime në merkato, nisur nga fakti që sezoni i ri i Superiores fillon në datën 22 gusht. Kështu, priten zhvillime në klubin kukësian pas ndeshjes së të enjtes në Poloni dhe gjasat janë që Safet Gjici të largohet nga presidenca pas investimit 5-vjeçar, duke dalë 3 herë nënkampion i vendit, dy herë finalist i Kupës së Shqipërisë, dhe duke kaluar deri tani dy herë nga 3 ture në Ligën e Evropës.