AlbanianSport.com 04.08.2015 16:45
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka ka thënë se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk do të ketë vetëm tifozë nga Shqipëria. Kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, Armando Duka, ka reaguar menjëherë pas lajmit të publikuar se në ndeshjen e kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë tifozë nga Kosova dhe Maqedonia nuk do të lejohen në stadiumin “Elbasan Arena”
“Nuk është e vërtetë, në stadium do të vijë çdo shqiptar, – ka deklaruar Duka për të përditshmen shqiptare, “Shqiptarja.com”. – Të njëjtat kushte që do të jenë për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri do të jenë edhe për shqiptarët që jetojnë në trojet e tjera. Ndeshja do të zhvillohet në masa të rrepta sigurie, pasi në stadium do të jetë edhe kryeministri i Serbisë, Vuçiç, me atë shqiptar, Edi Ramën.”
Ky reagim i presidentit të FSHF-së erdhi pas asaj që shkruanin mediat serbe. “Në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Serbisë më datë 8 Tetor nuk do të ketë të pranishëm në stadium tifozë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia”, – shkruante, e përditshmja “Kurir” duke ngjallur shumë debat në trevat shqiptare.
Gazeta serbe vazhdon më tej se në ndeshjen e 8 tetorit “Para ndeshjes do të ketë kontroll rigoroz për tifozët dhe ndeshjen mund ta ndjekin vetëm ata tifozë që kanë nënshtetësi shqiptare, – shkruan media në fjalë në faqen e saj të Internetit. – Ata që hyjnë në Shqipëri ato ditë, do të kontrollohen në detaje. Kjo nënkupton se në këtë ndeshje s’do të mund të futen në stadium shqiptarët nga Kosova dhe nga Maqedonia.”