AlbanianSport.com 04.08.2015 09:15
Komisioni i Disiplinës i UEFA-s ka dhënë vendimin përfundimtar për fatin e nënkampionëve shqiptarë, Kukësit, përsa i përket ndeshjes së ndërprerë me Legian e Varshavës. Sipas zëdhënësit të klubit verilindor, Jonuz Hallaçi, Kukësi është ndëshkuar me humbjen 0-3 në tavolinë të ndeshjes. Përsa i përket sjelljes së tifozëve, ku një lojtar polak u godit në kokë nga objekte të forta, Kukësi është ndëshkuar me 70 mijë euro gjobë si dhe do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme në fushën e vet në Kupat e Evropës, pa tifozë. Mbetet për t’u parë nëse edhe ekipi polak është ndëshkuar për sjelljen e tifozëve të vet dhe këto hollësi do t’jua sjellim në edicionet në vijim. Vendimi i disiplinorit të UEFA-s do të ndikojë edhe në të ardhmen e skuadrës kukësiane, pasi Presidenti Safet Gjici ka bërë të ditur se do të presë atë që do vendosë UEFA dhe më pas do të konsiderojë pozicionin e tij në klubin verilindor.