AlbanianSport.com 03.08.2015 17:10
ASNN – Takimi i së mërkurës midis Skënderbeut dhe Milsamit, i vlefshëm për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, pritet me interes të madh te publiku korçar. Në qytetin juglindor biletat për këtë ndeshje janë shitur totalisht dhe mbi 6 mijë tifozë nga Korça do të mbushin stadiumin e Elbasanit. Nga ana tjetër, Elbasani, qyteti mikëpritës për zhvillimin e kësaj ndeshje ka çdo gjë gati.
E mërkura është larg, por duket se tifozët kanë qenë të paduruar. Si rrallë herë, nuk gjenden bileta disa ditë përpara një ndeshjeje futbolli. Të paktën në qytetin e tyre, korçarët nuk janë vonuar aspak, dhe bileta, për takimin e radhës në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, atë të kthimit ndaj Milsamit, tashmë mund të gjenden vetëm në Elbasan dhe Tiranë.
Një publik zakonisht tepër i qetë, aq i qetë sa ka shqetësuar disa herë presidentin Takaj për praninë e paktë në stadiumin “Skënderbeu”, këtë herë pritet të jetë tepër i shumtë dhe i zjarrtë në “Elbasan Arena”. Pas fitores 2-0 në Moldavi, kampionia e Shqipërisë është fare pranë kalimit për në “play-off”-in e Ligës së Kampionëve dhe fazës së grupeve në Ligën e Evropës, dhe kjo ka krijuar një atmosferë krejt tjetër.
Klubi korçar, ndërkaq, duket se ka frikë se mos ndodhin incidente si në takimin Kukësi-Legia, ndaj edhe ka pajtuar polici private për të shmangur çdo të papritur. Për tifozët janë vendosur autobusë pa limit për të udhëtuar të mërkurën nga Korça për në Elbasan, dhe drejtuesit korçarë i bëjnë thirrje që të jenë sa më të shumtë në numër në këtë ndeshje historike.
Shefi i klubit të Skënderbeut, Ilir Përmeti, u kërkon tifozëve të tregojnë një sjellje qytetarie. Sipas tij, Skënderbeu ndodhet vetëm 90 minuta larg kualifikimit historik të një skuadre shqiptare në veprimtari të tilla. Përsa u përket tifozëve miq, ende nuk ka konfirmim për pjesmarrje në këtë takim. Menaxheri për sigurinë në stadium, Ervis Hila, shprehet se për mbarëvajtjen e takimit do të kujdesen 120 persona.
Duke synuar vendosjen e një sistemi të ri, por edhe për të shmangur skena si ato që çuan në ndërprerjen e ndeshjes së Kukësit në kryeqytet ndaj Legias së Varshavës, do të kontrollojnë sportdashësit për sende të forta, çakmakë dhe shishe uji. Skënderbeu fitoi pastër rezultatin në takim e parë me rezultatin 2-0, por sërish impenjimi për ndeshjen e kthimit është maksimal.