AlbanianSport.com 03.08.2015 11:40
ASNN – Pas më shumë se tetë muajsh mungese në gara për shkak të dëmtimit të gjurit, sportistja më e mirë në Kosovë dhe aktualisht xhudistja më e mirë në botë, Majlinda Kelmendi, do të shënojë rikthimin aktiv në sport më 25 gusht. Tashmë është konfirmuar se xhudistja pejane do të garojë në Botërorin që do të mbahet në Astana të Kazakistanit.
Majlinda Kelmendi pritet t’i japë fund së shpejti mungesës së saj në tapetin e xhudos. Sportistja më e mirë në Kosovë dhe aktualisht xhudistja më e mirë në botë do të shënojë rikthimin aktiv në sport më 25 gusht, pas më shumë se tetë muajsh mungese në gara për shkak të dëmtimit të gjurit. Ky dëmtim, të cilin e pësoi në fillim të vitit, e ka lënë Majlindën jashtë Lojërave të para Olimpike Evropiane, që u mbajtën në qershor në Azerbajxhan.
Por 24-vjeçarja nuk do ta humbasë ngjarjen më të madhe të vitit në xhudo, Kampionatin Botëror. Tashmë është konfirmuar se Majlinda do të garojë në Botërorin që do të mbahet në Astana të Kazakistanit, nga data 24, deri më 30 gusht 2015. Garat e kategorisë së peshës trupore deri në 52 kilogramë, kategori në të cilën Majlinda ishte e padiskutueshme gjatë dy viteve të fundit, mbahen më 25 gusht.
Sportistja pejane pësoi një dëmtim të gjurit në një kamp përgatitor në fillim të janarit, ndërsa në fund të atij muaji iu nënshtrua një operimi të suksesshëm në gju. Ajo pati një fazë të suksesshme rikuperimi, por nuk garoi në Lojëra Evropiane pasi u vlerësua se kështu mund të rrezikohej shëndeti i saj. Hëpërhë, Majlinda është duke vazhduar përgatitje në një kamp stërvitor në Slloveni.