AlbanianSport.com 03.08.2015 08:55
ASNN – Komisioni i Disiplinës në UEFA pritet të japë një vendim përfundimtar për fatin e nënkampionëve shqiptarë në Ligën e Evropës dhe humbja 3-0 në tavolinë është opsioni më i mirë i mundshëm.
Përveç kësaj, kuksianët mund të ndëshkohen me gjobë dhe luajtjen e disa ndeshjeve pa tifozë. Por klubi verilindor duhet të përgatitet edhe për të tjerë skenarë aspak shpresëdhënës.
Përjashtimi për këtë edicion, por edhe për ato të ardhshëm në Kupat e Evropës nuk mund të lihen pa u marrë në konsideratë. Po ashtu, precedentët e viteteve të shkuara, ku për shkak të sjelljes së tifozëve të tij Kukësi ka paguar rreth 100,000 penalizime, ndikojnë negativisht në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
Ndërsa dhe gjoba e ardhshme që është e sigurt do të jetë më e majme. E sigurt është gjithashtu se vendimi i disiplinorit të UEFA-s do të ndikojë edhe në të ardhmen e skuadrës kukësiane.
Presidenti Safet Gjici ka bërë të ditur se do të presë atë që do vendosë UEFA dhe më pas do të konsiderojë pozicionin e tij në klubin verilindor.