AlbanianSport.com 02.08.2015 21:15
Më në fund, pas 14 provash të pasuksesshme, francezi Arsene Venger ka fituar ndaj Zhoze Murinjos, pasi Arsenali i tij ka fituar Superkupën e Anglisë, duke mposhtur 1-0 Çellsin në ndeshjen e luajtur sot në “Uembli”. Goli i shënuar nga Aleks Okslejd-Çembërlejn, në mesin e pjesës së parë, bëri diferencën në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit në Angli.
Të dyja skuadrat luftuan fort për suksesin, në një ndeshje që nuk pati shumë raste për shënim, por në fund buzëqeshin “topçinjtë”. Kështu, sezoni i ri futbollistik në Angli ka nisur me një zhgënjim për Zhoze Murinjon, pasi goli i -Çembërlejnit në minutën e 24-t dhe pritjet e “ish”-it Petr Çeh, i dhanë suksesin “Topçinjve”, të cilët e kishin fituar Superkupën e Anglisë (të njohur ndryshe si “Community Shield”) 13 herë të tjera në historinë e tyre.
Me shumë interes është parë edhe përballja e dy trajnerëve Venger dhe Murinjo të cilët njihen për antipatinë që kanë për njëri-tjetrin. Francezi Venger e ka shmangur portugezin gjatë ceremonisë së dhënies së medaljeve. Nuk e ka lënë me kaq Murinjo, i cili, duke dalë nga fusha, e ka flakur medaljen në shkallët e stadiumit duke gëzuar një djalë të vogël.