AlbanianSport.com 02.08.2015 18:45
ASNN – Një tjetër ndeshje, një tjetër zhgënjim 3-shifror. Ky po bëhet në fakt lajtmotivi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në grupin A të Divizionit B të Kampionatit Evropian të Basketbollit për Nën-18-vjeçaret, pasi vajzat kuqezi kanë pësuar një humbje të pazakontë në shifrat.
Askush nuk ka pritur dhe shpresuar që 18-vjeçaret e koshit do të korrnin fitore të shumta, por, pas humbjes 21-100 në takimin e para dy ditëve me Bjellorusinë dhe asaj 31-102 me Turqinë dje, sot ka ardhur një tjetër zhgënjim, edhe më i thellë në shifra, 21-106, përballë Suedisë.
Në fakt, nuk mund të bësh shumë koment edhe për takimin e sotëm, përveç faktit se, ndryshe nga dy ndeshjet e mëparshme, ku Shqipëria shënoi vetëm 1 pikë në 20 minutat e fundit ndaj bjelloruseve dhe asnjë në 10-minutën e fundit ndaj Turqisë, të paktën sot vajzat e drejtuara nga trajneri Viron Toska, shënuan pikë çdo 10-minutësh lojë.
Më saktësisht, 6 në pjesën e parë, kundrejt 29 pikëve të kundërshtareve, 5 në të dytë, kundrejt 30 pikëve të pësuara, 8 në të tretën, kundrejt 28 dhe vetëm 2 në pjesën e fundit, kundrejt 19 pikëve të realizuara nga suedezet. Shifra këto që flasin më tepër se çdo koment, ndërsa në 3 takime, Shqipëria ka shënuar 72 pikë e ka pësuar plot 308.