AlbanianSport.com 02.08.2015 16:15
ASNN – Ndeshja e ndërprerë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet midis Kukësit dhe Legias së Varshavës mund të peshojë shumë rëndë për skuadrën “nënkampione” të Shqipërisë. Në një intervistë dhënë për mediat vendase, delegati polak i UEFA-s, Kazimiers Oleshzhek bën një analizë të asaj që ndodhi në Tiranë dhe jep variantet e tij për masat disiplinore që mund të merren ndaj Kukësit.
“Fillimisht mendoj se Kukesi do të gjobitet me një shumë të madhe, nuk do të luajë në fushën e tij për disa takime, tifozët e kësaj skuadre mund të mos udhëtojnë në ndeshjet e radhës jashtë fushë, por mund të përjashtohet edhe nga Kupat e Evropës, – ka deklaruar polaku. – Sidoqoftë, opsioni i fundit më duket më pak i mundshmi.” Oleshzhek ka shtuar se edhe Legia rrezikon.
Kjo pasi, sipas tij, ishin tifozët e skuadrës polake ata që nxitën dhunën në pushimin mes dy pjesëve. Në vijim, delegati i UEFA-s shton se situata ishte e tensionuar që në minutat e para kur tifozët e Kukësit publikuan një banderolë ofenduese, por me përshkallëzimin e dhunës, situata u bë e pakontrollueshme. Oleshzhek qartëson se vendimin për ndërprerjen e ndeshjes e ka marrë delegati i UEFA-s pas konsultimit me gjyqtarin kryesor.
“Në këtë situatë merren në konsideratë edhe opinionet e trajnerëve e kapitenëve të të dyja skuadrave. Në rast se ka dyshime që mbarëvajtja e ndeshjes nuk mund të garantohet, atëherë delegati vendos ndërprerjen”, – shton zyrtari polak i UEFA-s. Sipas Oleshzhek, numri i forcave të sigurisë në stadium nuk ishte i mjaftueshëm dhe në këtë aspekt, gjithë përgjegjësia bie mbi skuadrën pritëse.