AlbanianSport.com 02.08.2015 14:35
ASNN – Klubet evropiane nuk reshtin së vlerësuari mundësitë për marrjen e më të mirëve në radhët e tyre dhe këtë nuk e bëjnë vetëm për lojtarët, por edhe për trajnerët, sidomos për trajnerët kryesorë. Në Angli mediat shkruajnë për një ofertë surprizë.
Kështu, Mançester Siti është gati të bëjë të pamundurën për të transferuar trajnerin katallan, Pep Guardiola, në Stadiumin “Etihad” verën e ardhshme. “Citizens” (qytetarët), siç njihen ndryshe gjysma e kaltërt e qytetit të Mançesterit, do t’i propozojnë trajnerit aktual të Bajernit të Munihut gjatë këtij sezoni një kontratë pesëvjeçare.
Nga kjo kontratë, spanjolli do të përfitojë 27 milionë euro në vit. Pra bëhet fjalë për një marrëveshje që kap vlerën e 140 milionë eurove, e cila mund të konkretizohet vetëm pas përfundimit të kontratës së trajnerit aktual Manuel Pelegrini. Klubi anglez është interesuar prej kohësh për trajnerin katallan.
Por, sipas mediave angleze, këtë radhë oferta është e parezistueshme. Fakti që Guardiola e ka bërë të qartë se aventura e tij në krye të Bajernit do të mbyllet në qershor të 2016-tës e ka nxitur Mançester Sitin të dalë hapur duke zbuluar edhe ofertën faraonike prej 27 milionë euro në vit.
Një investim total prej 140 milionësh e paprecedent, një çmenduri e vërtetë që mund të zyrtarizohet muajt e ardhshëm.