Adriatik Balla 02.08.2015 10:25
Merkatoja e verës ka shënuar lëvizje të forta të futbollistëve kuqezi, ku spikat transferimi i Sokol Cikalleshit nga RNK Split te Bashakshehiri në Turqi, kalimi i Odhise Roshit nga FSV Frankfurt te Rijeka, firma e Amir Abrashit me Eintrahtin e Frankfurtit dhe së fundmi arritja e marrëveshjes mes Napolit dhe Empolit për kartonin e Elseid Hysajt.
Një lajm shumë i mirë për Kombëtaren është transferimi i Amir Rrahmanit te RNK Split, ndërsa Arbnor Fejzullahu mund të kalojë në një kampionat evropian, sigurisht nëse ofertat në drejtim të tij do të jenë të kënaqshme për drejtuesit e Partizanit. Gjithashtu, mbetet i hapur transferimi i Taulant Xhakës tek Fiorentina.
Po kështu, janë shtuar pretendentet për Shkëlzen Gashin si nga Seria A ashtu edhe në Bundesligë. Peskara ka blerë përfundimisht kartonin e Ledian Memushajt nga Leçe, ndërsa Herolind Shala është dhënë në formën e huazimit nga Sparta e Pragës tek Slovan Libereci.
Megjithatë, mbeten për t’u mësuar e ardhmja e disa elementëve kryesore të formacionit të De Biazit, që kanë shkëputur marrëdhëniet me ekipet e tyre. Migjen Basha, pas ndarjes me konsensus me Torinon, është një lojtar i lirë. Në pikëpyetje është edhe e ardhmja e Andi Lilës, ndërsa Lorik Cana duket se e ka mbyllur aventurën me Lacion. I lirë është dhe Arlind Ajeti.