AlbanianSport.com 02.08.2015 08:45
ASNN – Atletja Luiza Gega ka konfirmuar edhe një herë se mbetet më e mira a pistës shqiptare, pasi e mbylli garën e 800 metrave në vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë. Në garat e tjera edhe pse garuan shumë atletë shqiptarë, asnjë prej tyre nuk arriti të ngjitet në podium. Sikundër ishte programuar, në Pitesht të Rumanisë po zhvillohen garat e Kampionatit Ballkanik i Atletikës për Të Rritur, veprimtari ku merr pjesë me ekip të plotë edhe Shqipëria.
Të shtunën janë zhvilluar garat e ditës së parë, që kanë dhuruar edhe medaljet e para për Shqipërinë. Dhe natyrisht që nuk ka zhgënjyer atletja jonë më e mirë, Luiza Gega, që sot garoi në 800 metra. Ajo ishte në Baterinë A, ku u rendit e dyta, me kohën 2’03”45. Kjo kohë, në renditjen e përgjithshme të të dyja baterive ishte gjithashtu e dyta. Për pasojë, Luiza Gega e mbylli këtë garë në vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë.
Në këtë disiplinë garoi edhe Relaksa Dauti, që e mbylli garën në vendin e tretë të Baterisë B dhe në vendin e 9-të të klasifikimit të përgjithshëm, me 2′”12″92. Në garat e tjera edhe pse garuan shumë atletë shqiptarë, asnjë prej tyre nuk arriti të ngjitet në podium, madje rezultatet e tyre kanë qenë zhgënjyese. Në këtë Ballkaniadë marrin pjesë atletë nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Sllovenia, Qipro, Greqia, Kroacia, Serbia, Moldavia, Turqia, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi.