Adriatik Balla 01.08.2015 21:40
Mdeshja e kthimit midis Skënderbeut dhe Milsami Olheit, që është e vlefshme për turin e 3-të eliminator të Ligës së Kampioneve, nuk do të luhet në tapetin e gjelbërt të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, por në stadiumin e Elbasanit, që është më i madh dhe natyrisht me një kundërshtar shumë të motivuar e madje që nuk ka çfarë të humbasë.
Për këtë arsye, trajneri Josa pret në këtë ndeshje të kthimit një Milsami më të frikshëm, për vetë faktin se moldavët do të luajnë çdo kartë për të përmbysur disavantazhin e takimit të parë. “Ne jemi nën presion, pasi kemi fituar ndeshjen e parë dhe na kërkohet me çdo kusht kualifikimi”, – ka pohuar ai dje.
“Natyrisht, ne jemi të avantazhuar, pasi kemi fituar pastër ndeshjen e parë, por Milsami do të luajë çdo kartë që të befasojë, pasi nuk ka çfarë të humbasë më shumë, – ka vijuar trajneri i korçarëve. – Sa na takon ne, duhet të menaxhojmë me kujdes lojën, duke u rreshtuar mirë, duke zbatuar mirë detyrat tona dhe natyrisht të mbajmë epërsinë me kundërshtarin.”
“Turi quhet i kaluar kur skuadra e fiton ndeshjen. Ne jemi afër objektivit, por më parë duhet të marrim seriozisht Milsamin, që nuk vjen këtu sa për të kaluar radhën, përkundrazi, jam i bindur se na pret një ndeshje shumë e vështirë”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i cili nuk do të ketë në dispozicion dy mbrojtësit kryesorë, Tefik Osmanin e dëmtuar, si dhe Renato Arapin, e dënuar nga UEFA.