AlbanianSport.com 01.08.2015 10:40
ASNN – Klubi i Skënderbeut kërkon ta kthejë në festë ndeshjen e kthimit me Milsamin në “Elbasan Arena”, që do të zhvillohet më 5 gusht në orën 20:45. Drejtuesit e kampionëve të Shqipërisë i ftojnë të gjithë tifozët korçarë të jenë të pranishëm në impiantin e kombëtares, ku formacioni i Mirel Josës kërkon të shkruajë historinë duke siguruar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Në një njoftim në faqen zyrtare të klubit në rrjetin social, “Facebook” ftohen të gjithë tifozët korçarë që të udhëtojnë drejt Elbasanit.
Klubi do të vërë në dispozicion të tyre autobusë pa limit, në mënyrë që kostoja e udhëtimit të mos kushtëzojë praninë e tifozëve të Skënderbeut në stadium. “Elbasan Arena” ka një kapacitet prej 12,500 vendesh si dhe kushte komode, të krahasueshme me stadiumet evropiane, ndaj pritshmëritë janë për një mbështetje maksimale nga ana e tifozerisë. Drejtuesit e Skënderbeut shpresojnë që në “Elbasan Arena” të jenë të pranishëm edhe tifozë vendas dhe të skuadrave të tjera, që dëshirojnë pjesëmarrjen e një ekipi shqiptar në fazën e grupeve të Ligës së Evropës apo të Ligës së Kampioneve.
Ky qëndrim nxit mbështetje të madhe për Skënderbeun, i cili është shumë pranë një arritje historike për një klub shqiptar në Kupat e Evropës, pasi më e pakta mund të sigurojë kualifikimin në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit. Por, më parë, ai duhet të mundë moldavët e Milsamit dhe i mbetet të sigurojë thjesht një rezultat pozitiv ndaj tyre, ose, më saktë, të administrojë epërsinë e fituar nga ndeshja e parë