AlbanianSport.com 01.08.2015 07:05
ASNN – Fitorja me Milsamin të martën në kuadër të ndeshjes së parë të turit të tretë të Ligës së Kampioneve i ka dhënë një dimension të ri skuadrës së Skënderbeut, e cila po përgatit edhe ndeshjen e kthimit me moldavët dhe shpreson ta mbyllë me fitore edhe këtë takim, e bindur se ajo mund të shkojë me dinjitet në fazën e “play-off”-it të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit dhe, pse jo, të kualifikohet për në fazën e grupeve të saj.
Trajneri Mirel Josa ka këshilluar që të ulet euforia dhe të mendohet seriozisht për ndeshjen e kthimit, pasi skuadra është në një gjendje entuziazmi të madh dhe kjo mund të rrezikojë objektivin. Ndërkohë, është caktuar që ndeshja të luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan dhe kjo për korçarët do të jetë e vështirë, pasi do t’u duhet të udhëtojnë që të shohin skuadrën e zemrës. Por për “Ujqërit e Dëborës” ka menduar vetë presidenca e klubit.
Ajo do të verë në dispozicion një numër shumë të madh autobusësh që do të bëjnë itinerarin Korçë-Elbasan-Korçë, në mënyrë që tifozët të jenë të shumtë në numër në impiantin e ekipit kombëtar në Elbasan. Mendohet se nga Korça do të udhëtojnë drejt Elbasanit mbi shtatë mijë tifozë. Pjesa tjetër do të mbushet me tifozë vendas elbasanas dhe sportdashës të ardhur nga qytetet e tjera të vendit, për të mbështetur skuadrën korçare ta kalojë me sukses këtë fazë eliminatore të Ligës së Kampioneve.