AlbanianSport.com 31.07.2015 23:35
ASNN – Hedhja e një sendi të fortë në fushë, që plagosi futbollistin e Legias së Varshavës dhe më pas ndërpreu ndeshjen, do t’i kushtojë shumë klubit të Kukësit. Sipas rregulloreve të UEFA-s, fati i ndeshjes në “Qemal Stafa” tashmë duket i vulosur: fitore 3-0 në tavolinë për skuadrën polake, pasi Kukësi, si klub pritës, mban përgjegjësi për gjithçka ndodh gjatë ndeshjes; edhe për atë gur, që nuk dihet se nga kush u hodh, por që plagosi lojtarin Duda.
Përveç humbjes në tavolinë dhe një gjobe të majme, Komisioni Disiplinor i UEFA-s mund të vendosë edhe përjashtimin e skuadrës nga Liga e Evropës për këtë sezon, e ndoshta, edhe pse ka pak gjasa të ndodhë, mund ta përjashtojë nënkampionen e Shqipërisë nga 1 deri në 3 vite nga veprimtaritë kontinentale. Sidoqoftë, vendimet e Komisionit të Disiplinës në UEFA do të varen nga relacioni i zyrtarëve të UEFA-s, në lidhje me atë që kanë parë gjatë ndeshjes.
Ndërkohë, në mënyrë krejt të çuditshme ka reaguar Policia e Tiranës, e cila nëpërmjet një deklarate për shtyp ka bërë të ditur se para, gjatë dhe pas ndeshjes Kukësi-Legia Varshavë, nuk është shënuar asnjë incident. Duke qenë se, vetëm Policia e Tiranës nuk e ka parë incidentin që ndodhi në “Qemal Stafa”, në komunikatën për shtyp të saj nuk thuhet asgjë, nëse ka të ndaluar apo nëse kanë nisur hetimet për identifikimin e personit, që hodhi sendin e fortë në fushë.
Kështu, shpresat e Kukësit për një kualfikim të mundshëm në “play-off”-in e Ligës së Europës janë davaritur pas pezullimit të ndeshjes së parë kundër Legias së Varshavës. Tani klubi kukësian duhet të mendojë për një tjetër sfidë, akoma më të vështirë dhe që do të luhet në zyrat e UEFA-s. Komisioni i Disiplinës pritet të japë një vendim përfundimtar për fatin e nënkampionëve shqiptarë në Ligën e Europës dhe humbja 3-0 në tavolinë është opsioni më i mirë i mundshëm.
Përveç kësaj, kuksianët mund të ndëshkohen me gjobë dhe luajtjen e disa ndeshjeve pa tifozë. Por klubi duhet të përgatitet edhe për të tjerë skenarë aspak shpresëdhënës. Përjashtimi për këtë edicion, por edhe për ato të ardhshëm në Kupat e Evropës nuk mund të lihen pa u marrë në konsideratë. Po ashtu, precedentët e viteteve të shkuara, ku për shkak të sjelljes së tifozëve të tij Kukësi ka paguar rreth 100 mijë euro penalizime, ndikojnë negativisht në vendimin e Komisionit të Disiplinës.
Ndërsa dhe gjoba e ardhshme që është e sigurt do të jetë më e majme. E sigurt është gjithashtu se vendimi i disiplinorit të UEFA-s do të ndikojë edhe në të ardhmen e skuadrës kukësiane. Presidenti Safet Gjici ka bërë të ditur se do të presë atë që do vendosë UEFA dhe më pas do të konsiderojë pozicionin e tij në klubin verilindor. Deri atëherë, drejtuesit e skuadrës do të mbrohen në Komisionin e Disiplinës me argumentet se nuk dihet nëse tifozi që hodhi sendin e fortë nga tribuna ishte i Kukësit.
Presidenti i Kukësit e ka konsideruar tendencioz vendimin e gjyqtarit dhe zyrtarëve të tjerë për pezullimin e ndeshjes, duke thënë se një gjë e tillë nuk ishte e nevojshme. Përtej pretendimeve, përcaktues në vendimin e Komisionit të Disiplinës në UEFA do të jetë raporti i gjyqtarit dhe zyrtarëve të tjerë të ndeshjes.