AlbanianSport.com 31.07.2015 20:50
ASNN – Zgjedhjet e reja në FIFA, të cilat do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm kanë vënë në lëvizje ambiciozët që duan kreun e këtij institucioni. Kështu, ikona e Argjentinës, Diego Armando Maradona ka thënë se do të japë gjithçka nga vetja e tij që ta luftojë mafian që është brenda FIFA-s, nëse zgjidhet president i kësaj organizate.
Maradona ka thënë se gëzon një përkrahje të madhe nga lojtarët dhe në rast të kandidimit në FIFA, atëherë ai do të jepte më të mirën e tij. “Ka shumë lojtarë që më përkrahin mua, duhet të luftoj njerëzit të cilët qe një kohë të gjatë janë duke vjedhur nga FIFA. Do të kandidoj për FIFA”, – ka thënë Maradona.
“Duhet ta luftojë mafinë që është ende aty, – ka vijuar ai. – Ju them gjithë argjentinasve që unë jam i fortë dhe nuk do të dështoj.” Në fakt, legjenda e Argjentinës, Diego Armando Maradona, ka qenë një nga kritikët më të ashpër të FIFAs. Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Maradona ka shprehur qartë ambicien për të kandiduar.
Por, për të realizuar këtë gjë, secilit kandidat i nevojitet të paktën mbështetja e 5 federatave.“Unë duhet të luftoj dhe të largoj mafien, e cila gjendet në FIFA. Ata na kanë vjedhur, na kanë poshtëruar me paaftësitë dhe korrupsionin”, – premtoi ai.
“Dua me patjetër të jem në FIFA, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t’i jepet jetë futbollit”, – përfundoi kampioni i botës më 1986-n gjatë një interviste për televizionin argjentinas “America”.