Nga Adriatik Balla 31.07.2015 18:05
Nëse gjithçka shkon mirë në ndeshjet eliminatore për Kampionatin Evropian “Francë 2016” dhe Shqipëria arrin të kualifikohet në këtë veprimtari, atëherë imazhi i përfaqësueses tonë rritet shumë dhe lojtarët kuqezinj marrin vlerësim akoma më të madh të kartonit të tyre dhe mund të gjejnë në vitet e ardhshme kontrata të majme me klubet elitare evropiane. Këtë e vërteton edhe fakti se, që prej momentit që trajneri Xhovani De Biazi e ka futur skuadrën në “shinat” e duhura të suksesit, ofertat për lojtarët e Kombëtares Shqiptare kanë ardhur në rritje dhe në vlerë financiare disa herë më të madhe.
Fitimet nga e drejta televizive kanë qenë të mira dhe përfitimet nëse Shqipëria shkon në Evropian do të jenë gjithashtu në disa milionë euro. Besohet se do të ketë deri në 12 milionë euro përfitime, por kjo mbetet për t’u parë. Por shifra të tilla mund të thyhen sepse një tjetër rekord nga e drejta televizive mund të shënojë skuadra përfaqësuese e nëpërmjet saj Federata Shqiptare e Futbollit. Nga shorti i hedhur në Shën Pjetërburg për Botërorin e vitit 2018 që do të zhvillohet në Rusi, goglat e vunë Shqipërinë në grupin G, së bashku me Spanjën, Italinë, Izraelin, Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin. Pra në grup do të jenë dy prej skuadrave më të forta në botë që së bashku kanë 100 milionë banorë.
Pra një treg të madh shikueshmërie, përpos se shifrat rriten ndjeshëm nga cilësia që kanë të dyja skuadrat përfaqësuese të Spanjës dhe të Italisë. Përveç tyre, edhe Izraeli ka potenciale të mëdha financiare dhe e drejta televizive që vjen nga ndeshjet me përfaqësuesen izraelite mund të sjellë fitime të mëdha financiare. Maqedonia, edhe pse një vend i vogël dhe me vetëm 2 milionë banorë, mund të shihet me pozitivizëm, sepse përballjet me të mund të konsiderohen si “derbi i nxehtë ballkanik”, gjë që mund të tërheqë vëmendje të madhe. Parë në tërësi, Kombëtarja luan në një grup me skuadra të forta dhe që “pjell” fitime të mëdha.
Mendohet se Federata Shqiptare e Futbollit do të përfitojë nga shitja e të drejtës televizive më shumë se 15 milionë euro për Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Këto përfitime do të shkojnë për infrastrukturën sportive dhe do të jenë një ndihmesë e madhe për FSHF-në që ajo të nisë ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë. Shorti që të sjell në grup ekipe si Gjermania, Spanja, Anglia dhe Italia shihet gjithnjë si fitimprurës, qoftë për faktin e ato kanë një futboll të zhvilluar, por edhe për tregun e shikueshmërisë, pasi janë vende që dominojnë në popullsinë e Evropës.
Siç shihet, nga analiza rezulton se fitimet e FSHF-së nga shitja e të drejtës televizive për Eliminatoret e “Rusi 2018” mund të jenë kolosale dhe kjo është gjë pozitive për futbollin shqiptar. Të veçanta për shqiptarët do të jenë sidomos dy përballjet me Italinë, ndaj së cilës luajmë për herë të parë ndeshje zyrtare, ndërsa ndaj Spanjës kemi luajtur edhe në të shkuarën.