Sali Juniku (Top Channel) 31.07.2015 17:10
Në mënyrë krejt të çuditshme ka reaguar Policia e Tiranës, e cila nëpërmjet një deklarate për shtyp ka bërë të ditur se para, gjatë dhe pas ndeshjes Kukësi-Legia Varshavë, nuk është shënuar asnjë incident. Duke qenë se, vetëm Policia e Tiranës nuk e ka parë incidentin që ndodhi në “Qemal Stafa”, në komunikatën për shtyp të saj nuk thuhet asgjë, nëse ka të ndaluar apo nëse kanë nisur hetimet për identifikimin e personit, që hodhi sendin e fortë në fushë.
Policia e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp, bëri të ditur se në ndeshjen e ndërprerë mes Kukësit dhe Legias së Varshavës, të vlefshme për Ligën e Evropës League, nuk ka pasur asnjë incident mes tifozerive dhe shkak i ndërprerjes ka qenë vetëm dëmtimi i një futbollisti të skuadrës polake nga goditja në kokë me një send të fortë që erdhi nga shkallët e stadiumit, “ku nuk kishte tifozë”.
“Në asnjë moment, në fillim, përgjatë dhe në përfundim të këtij aktiviteti sportiv, nuk është shënuar asnjë lloj incidenti pasi Policia ka qenë në gatishmëri të plotë deri në momentin që janë larguar tifozët pas vendimit të pezullimit të ndeshjes sportive”, – lexohet në njoftimin për shtyp, ku saktësohet se mes tifozerive ka pasur vetëm tension, por jo incidente.
“Gjatë përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, tifozët e Kukësit u revoltuan me rezultatin duke e kontestuar atë dhe të ashpërsuar kanë reaguar ndaj tifozëve kundërshtarë, duke tentuar të afroheshin me tribunën e polakëve. Në këto momente, policia ka shmangur kontaktin fizik duke i rikthyer tifozët e Kukësit në vendet e tyre. Në minutën e 52-të ndeshjes, është parë një lojtar i shtrirë, i cili u shpreh se është goditur nga një send i pacilësuar së çfarë ishte dhe drejtimi nga kishte ardhur goditja e lojtarit nuk është përcaktuar, pasi zona në të cilën lojtari u rrëzua ishte pa tifozë”, – vijon më tej njoftimi i forcave të rendit.
“Nga ana e gjyqtarit u bë ndërprerja e aktivitetit sportiv dhe lojtarët u shoqëruan për në mjedisin e brendshëm nga ana e policisë pa asnjë problem. Nga ky moment e në vazhdim nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet tifozëve apo hedhje sendesh, ndërkohë që nga ana e përfaqësuesve të futbollit u mor vendimi për pezullimin e ndeshjes”, – përfundon njoftimi për shtyp të Policisë së Tiranës.