Gjergj Vyshka 07.10.2014 16:15
Tirana dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi” ka qenë qendra e Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian të Karatesë “Shotokan”. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë 667 sportistë, të cilët kanë përfaqësuar 18 vende të kontinentit, si dhe 13 që ishin për Kupën e Botës. Sipas Federatës Shqiptare të Karatesë, 182 sportistë kanë qenë në Kupën e Botës, kurse 485 në Kampionatin Evropian.
Ajo që vlen të theksohet është fakti i pjesëmarrjes së suksesshme të Shqipërisë, e cila është përfaqësuar me të gjitha klubet e shoqatat anëtare të Federatës. Madje numri 25 i medaljeve të arta, pa llogaritur edhe ato të argjendta dhe ato të bronzta, tregojnë që Shqipëria e kishte vlerësuar së tepërmi këtë veprimtari, që u organizua për herë të parë në vendin tonë.
Një përfaqësim dinjitoz në një disiplinë të karatesë, që sidoqoftë ende nuk është njohur nga Federata Botërore dhe Evropiane e Karatesë së përgjithshme. Por që ekziston si Union dhe kryen aktivitetet e saj, duke llogaritur dhe këtë që u bë në Tiranë. Përfundimisht Shqipëria ka qenë e denjë në Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian të Shotokanit në Karate.