Adriatik Balla 31.07.2015 09:50
Lojtarët e përfaqësueses kuqezi në tërësinë e tyre janë të stabilizuar me skuadrat përkatëse dhe presin një edicion të ri serioz e të suksesshëm, me shpresë se mund të shkojnë më lart se sa aktualisht. Por ka dhe nga ata që nuk e kanë gjetur vetveten dhe ky ka qenë një shqetësim jo vetëm për ata, por edhe për trajnerin e Kombëtares, Xhovani De Biazi.
Ky i fundit po bën llogaritë për ndeshjet e 4 dhe 7 shtatorit 2015, ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Në këto përballje janë me pikëpyetje disa futbollistë të formacionit bazë, sepse nuk luajnë rregullisht dhe kanë mbetur pa skuadër. Në mesfushë Andi Lila nuk ka gjetur një skuadër të nivelit të lartë, megjithëse është pjesë e Parmës së sapo rënë në nivelet inferiore për shkak të problemeve të këtij klubi.
Në mbrojtje, Lorik Cana dhe Arlind Ajeti janë pa skuadër dhe në kërkim të klubeve të reja. Deri më tani nuk kanë gjetur skuadër dhe kjo shihet si shqetësuese. Nëse situata vijon e tillë, atëherë të dy futbollistët do ta kenë të vështirë të aktivizohen ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Së fundmi, një tjetër lojtar që po kërkon skuadër është mesfushori Migjen Basha, i larguar tashmë nga Torino.
Të katër lojtarët janë nga më kryesorët për De Biazin dhe shqetësimi i trajnerit ka bazë të fortë.