AlbanianSport.com 30.07.2015 09:45
ASNN – Kombëtarja kuqezi do të luajë në shtator dy nga përballjet e saj vendimtare në grupin I Eliminatore të “Francë 2016”, por në këto dy takime do të mungojë një nga lojtarët më të mirë të ekipit dhe shtylla kryesore e mbrojtjes, Mërgim Mavraj, i dëmtuar muaj më parë dhe që tani gjendet në fazë rikuperimi.
Dëmtimin e Mavrajt nuk po e vuan vetëm Kombëtarja shqiptare, por edhe klubi i Këlnit në Bundesligë, i cili mezi pret rikthimin në fushë të shqiptarit nga Kosova. Djaloshi 29-vjeçar shqiptar luan në nivele të larta, por për shkak dëmtimi, nuk mund të kontribuojë për kauzën e klubit.
Megjithatë, ai ka marrë vëmendjen e të përditshmes gjermane “Bild”, e cila ka ndjekur procesin e riaftësimit të tij. Dhe, sipas saj, Mërgim Mavraj ka bërë përparime kolosale, duke lënë pas patericat dhe duke u ushtruar në disa ushtrime të lehta, por me orë të zgjatura.
Madje gazeta gjermane ka zbuluar përkushtimin e pazakontë të mbrojtësit për t’u kthyer sa më parë në gjirin e ekipit dhe për të dhënë kontributin e tij. Mavraj nuk do të jetë në sfidat e shtatorit ndaj Danimarkës dhe Portugalisë, por ka gjasë që ai të mungojë edhe në duelet e tetorit 2015 ndaj Serbisë dhe Armenisë.