AlbanianSport.com 29.07.2015 21:15
ASNN – Dy lojtarë brazilianë kanë mbërritur ditët e fundit tek skuadra e Kategorisë së Parë, Luftëtari. Fjala është për Bruno Luiz dhe Demetrio David, të cilët i janë bashkuar grupit gjirokastrit në seancën stërvitore nën drejtimin e treshes Hysi-Ciko-Kristidhi. Për herë të parë, të dy futbollistët e ardhur nga vendi i “Sambës” shkelin në tokën e “Shqiponjave” dhe Luiz luan si mesfushor shkatërrues dhe është 21 vjeç, ndërsa Demetrio David luan si mesfushor krahu.
Të lindur në Belohorozionte, brazilianët do të testohen nga stafi teknik. Mesfushori shkatërrues Bruno Luiz, vjen nga skuadra e Kruzeiros, ndërsa David nga Gremio. Mustafa Hysi, trajneri i Luftëtarit, sa u përket dy lojtarëve të huaj të mbërritur në Gjirokastër, ka pohuar: “Dy brazilianët luajnë si mesfushorë dhe do të jenë në provë disa ditë dhe më pas do të vendosim pikën mbi ‘i’. Për momentin, nuk mund të them asgjë konkrete.”
Sakaq, në seancën e pasdites, bluzinjve iu bashkua edhe sulmuesi gjirokastrit Florian Braho. Ndërkohë që nga sot, gjirokastritët do të nisin përgatitjet me dy seanca në ditë. E ndërsa bluzinjtë janë duke u stërvitur intensivisht, ku numri i lojtarëve shkon në 37, trajneri Mustafa Hysi, ka konfirmuar për gazetat sportive të ditës se pjesë e Luftëtarit pritet të jetë një lojtar brazilian cilësor, gjithnjë pa hequr dorë nga lojtarët vendës. Te Luftëtari priten të afrohen dy-tre lojtarë të tjerë gjatë ditëve në vazhdim.