AlbanianSport.com 29.07.2015 19:35
ASNN – Mishel Platini ka pohuar se do të jetë kanditat për president i FIFA-s, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 26 shkurt 2016 në Zyrih. Presidenti aktual i UEFA-s është kandidati kryesor për këtë post. Francezi 60-vjeçari ka mbështetjen e 4 prej konfederatave kontinentale dhe emri i tij, si kandidati më i mundshëm për të pasuar zviceranin Sep Blater, ishte lakuar edhe më pare. Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të jetë të jashtëzakonshme, si pasojë e skandalit korruptiv që ka kapluar organizmin që qeveris futbollin botëror dhe që detyroi Presidentin Blater të dorëhiqej.
Ky skandal i referohej të drejtës së organizimit të Botërorit te Afrikës së Jugut, atij të Rusisë 2018 dhe të Katarit të vitit 2022. Platini ka shprehur hapur dyshimet e tij sa i përket përcaktimit të vendeve mikpritëse, ndonëse pati votuar publikisht dhe e ka mbrojtur votën e tij pro Katarit. 79-vjeçari Sep Blater mbante detyrën e Presidentit prej vitit 1998, ndërsa ka qenë më parë, për 25 vjet, Sekretar i Përgjitshëm, nën drejtimin e Zhoao Havelanzhit. Ai u rizgjodh për herë të katërt në 2015-tën, në një votim të fituar bindshëm, përkundër opionionit botëror që nuk e dëshironte më.
Kësisoj, zvicerani u tërhoq pas vetëm 3 ditësh, pas presionit të madh e pas hetimit të zyrtarëve më të lartë të FIFA-s nga FBI-ja, që arrestoi 7 prej tyre. Megjithatë, tanimë është zyrtare: Mishel Platini do të kandidojë si President i FIFA-s. Pas zërave që qarkullonin prej ditësh, francezi ka konfirmuar vendimin e tij me një letër dërguar 209 federatave anëtare të qeverisë botërore të futbollit. “Ky është një vendim shumë personal, të cilin e mora në bazë të mbështetjes dhe kurajos që më kanë dhënë shumë prej jush”, – shkruan në letrën e tij Platini.
“Ndodhemi në një moment ku një sërë ngjarjesh po dëmtojnë të ardhmen e FIFA-s”, – shton ai. Presidenti aktual i UEFA-s pritej të kandidonte edhe në zgjedhjet e fundit, ku Blater fitoi mandatin e tij të pestë, duke mundur Princin e Jordanisë, Ali Bin Al-Husein. Por i pasigurt për fitoren, Platini u tërhoq. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe francezi shkon drejt fitores të sigurt. Në një kohë që FIFA përballet me skandalin më të madh të korrupsionit në historinë e saj, ish-juventini ka mbështetjen e shumicës së federatave anëtare të FIFA-s.
Si president i UEFA-s, ai ka votën e sigurt të federatave evropiane, por edhe tre Konfederatave të tjera, të Amerikës së Jugut, asaj të Amerikës Qëndrore, Veriore dhe Karaibeve, si dhe të Azisë. Sipas “France Football”, nga 209 vota në total, që tani Platini ka në favorin e tij 144. Por mbështetja ndaj tij mund të zgjerohet, pasi francezi kërkon të bindë edhe Konfederatat e Afrikës dhe Oqeanisë, historikisht mbështetëse të Sep Blaterit.
Mishel Platini shkon drejt zgjedhjes së tij të sigurt si president i FIFA-s edhe për shkak të rivalëve që deri tani janë futur në garë. Zyrtarisht kanë hedhur kandidaturën legjenda e futbollit brazilian, Ziko dhe Presidenti i Federatës Liberiane të Futbollit, Musa Bility. Mishel Platini u zgjodh president i UEFA-s në vitin 2007, duke mundur atëherë në garë Lenart Johansonin. Që nga ajo ditë ai është munduar të injektojë idetë e tij në drejtimin e futbollit. Riorganizimi i Kupave të Evropës dhe “Fair-Play” financiar ishin dy nga nismat e Platinisë.
Gjithsesi, francezi është përballur edhe me shumë polemika për drejtimin e UEFA-s, si dhe nuk munguan akuzat për korrupsion, sa i përket votimit për dhënien e organizimit të Botërorit 2022 Katarit. Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s, ku do të zgjidhet dhe Presidenti i ri do të zhvillohet në Zyrih më 26 shkurt të vitit të ardhshëm.