Adriatik Balla 29.07.2015 17:05
Kukësi do të luajë nesër ndeshjen e parë në Ligën e Evropës përballë Legias së Varshavës, në kuadër të turit të tretë eliminator të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit. Sfida e parë me polakët do të luhet në orën 20:00 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe kukësianët synojnë fitoren për të pasur më shumë shanse për ndeshjen e kthimit që do ta luajnë pas një jave në kryeqytetin e Polonisë.
Skuadra favorite në këtë përballje është padyshim Legia, e cila ka një karrierë të pasur ndërkombëtare dhe ka për momentin kuota më të mëdha kualifikimi se sa Kukësi. Por në kampin verilindor besojnë se gjithçka mund të shkojë me sukses e në favor të tyre, pasi Kukësi dhe më parë ka dhënë prova se di të matet me dinjitet edhe me rivalë shumë të fortë në Ligën e Evropës.
Sipas trajnerit Marselo Troisi, Kukësi ndihet i motivuar në kuadër të kësaj përballjeje dhe do të bëjë më të mirën e tij për fitoren. Fakt është se kukësianët dinë të luajnë shumë mirë dhe në fushë të huaj dhe këtë e kanë vërtetuar edhe në dy turet e para të Ligës së Evropës përballë bjellorusëve të Torpedos të Zhodinos dhe malazezëve të Mlladostit të Podgoricës.