Adriatik Balla 29.07.2015 14:35
Skënderbeu ka shënuar një arritje historike në Ligën e Kampioneve, pasi mundi në duelin e parë të turit të tretë eliminator skuadrën “kampione” të Moldavisë, Milsamin, me rezultatin e pastër 2-0. Kjo fitore në që Skënderbeu të hedhë një hap përpara drejt kualifikimit për në fazën e “play-off”-eve të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, që do të thotë se kalimi i këtij turi e çon Skënderbeun më e pakta në fazën e grupeve të veprimtarisë tjetër, Ligës së Evropës.
Nëse Skënderbeu do ta kalojë këtë tur eliminator të Ligës së Kampioneve, atëherë arkat e klubit do të mbushen me miliona euro, pasi Skënderbeu siguron më e pakta pjesëmarrjen në fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit. Në këtë rast Skënderbeu do të fitonte më shumë se 5 milionë euro. Por fitimet më të mëdha janë nëse arrin në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, ku vetëm sigurimi i pjesë marrjes bën të arkëtojë mbi 12 milionë euro.
Fitorja e djeshme e pastër dhe bindëse i jep shpresë Skënderbeut të vazhdojë rrugëtimin e tij me sukses në Ligën e Kampioneve, me shpresë se mund të bëjë surprizën e madhe. Përfitimet financiare janë një motiv më shumë për grupin dhe drejtuesit e klubit korçar, që për më tepër, qëndron në prag të shkrimit të një kapitulli të ri dhe të lavdishëm jo vetëm në historinë e vet, por edhe anë të mbarë futbollit shqiptar.