AlbanianSport.com 29.07.2015 08:45
ASNN – Francezi Mishel Platini pritet të shpallë shumë shpejt kandidaturën e tij për Presidencën e FIFA-s, për të zëvendësuar Josep Blaterin e dorëhequr tashmë, por në detyrë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, pas atij skandali korrupsioni.
Kreu aktual i UEFA-s duket se do të kishte mbështetjen e të paktën 140 federatave pjesëmarrëse të FIFA-s nga 209 në total, mes të cilave edhe ajo e Italisë, pasi kështu është shprehur presidenti i FIGC-së, Tavekio, i cili ka thënë: “Do ta mbështesim”.
Francezi do t’i futet punës së diplomacisë për në zonën e Oqeanisë dhe Afrikës, të cilat kanë qenë historikisht pro Blaterit, për të siguruar edhe unanimitetin. Lajmi ka qarkulluar prej orësh.
Por së fundi është bërë edhe më konkret, falë konfirmimeve të ardhura nga persona shumë pranë Platinisë. Kongresi i jashtëzakonshëm i FIFA-s, i thirrur për të zgjedhur presidentin e ri, është vendosur të mbahet më 25 shkurt të vitit 2016.
Rivalë të Platinisë, nëse zyrtarizon kandidaturën, pritet të jenë, të paktën deri tani, Musa Biliti, president i Federatës së Futbollit të Libisë, si dhe Ziko, një emër i madh i futbollit brazilian. Por, kësaj sfide mund t’i bashkohet edhe Diego Armando Maradona…