Gjergj Vyshka (ASNN) 28.07.2015 23:55
Bledi Shkëmbi di të jetë i qetë edhe kur skuadra e tij ka korrurnjë fitore historike, duke mposhtur Milsamin në shtëpi, 2-0. Kapiteni i korçarëve u shpreh tejet i lumtur për fitoren e arritur në Moldavi. I pyetur se përse nuk e gjuajti ai 11-metërshin këtë herë, mesfushori tha se ishte Salihi ai që e meritonte.
“Jam mësuar të jap pasime për të tjerët, edhe 11-metërshin merreni si “pasim” nga ana ime, – ka deklaruar veterani korçar pas fitores. – Salihi e meritonte ta gjuante, ai e ktheu në gol dhe të gjithë festuam. Isha shumë i gatshëm ta gjuaja, por gjithsesi jam i kënaqur Salihi e riktheu në gol. Zhvilluam një lojë tejet pozitive.”
“Skuadra funksionoi shumë mirë, madje në pjesën e dytë bëmë lojën tonë, – vijoi kapiteni i bardhekuqve. – Një lojë shumë të mirë, si rezultat i saj shënuam dy gola. Latifi, por e gjithë skuadra funksionoi shumë mirë. Është merita e të gjithve”. Shkëmbi ka pasur dhe një thirrje për tifozët shqiptarë për ndeshjen e kthimit.
“Korçarët do të jenë, por nuk do të mungojnë dhe tifozeritë e tjera, pavarërisht “konflikteve” në kampionatin shqiptar. Të gjithë tifozët duhet të jenë të pranishëm për të mbështetur një skuadër shqiptare në Ligën e Kampionëve”, – ka përfunduar futbollisti i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi.