AlbanianSport.com 07.10.2014 12:05
ASNN – Turbina vazhdon me sukses rrugën e fitoreve dhe aktualisht mban vendin e dytë në tabelën e renditjes duke qenë në të njëjtën kuotë pikësh sa Gramshi, pra gjashtë pikë. Fitorja e marrë në Bilisht ka qenë shumë entuziaste për lojtarët, pasi presidenti i klubit kishte vënë 2 milion lekë të vjetra shpërblim për ta nëse arrinin fitoren. Tashmë lojtarët janë dyfish më të karikuar për të marrë rezultate pozitive, pasi nuk u mungon dhe mbështetja financiare.
Kontigjenti i lojtarëve që ka në dispozicion trajneri Belshi po paraqiten në mënyrë të mirë dhe po sjellin rezultate pozitive. E kjo gjë, në fakt, ishte parashikuar dhe nga drejtuesit, të cilët ditën të afrojnë lojtarët e duhur gjatë tregut të lëvizjeve të lojtarëve në verë. Synimi i ekipit është rikthimi në elitë dhe e kanë nisur për së mbari garën. E nëse ecuria do të jetë e tillë, atëherë ngjitja në Kategorinë e Parë do të bëhet realitet.