AlbanianSport.com 27.07.2015 19:50
ASNN – Ish-futbollisti i Kombëtares kuqezi, Erjon Bogdani, ka rrëfyer për një bisedë me trajnerin e përfaqësueses italiane, Antonio Konte. Në një intervistë për të përditshme sportive shqiptare, “Panorama Sport”, ish-shtatlarti i sulmit kuqezi, ka theksuar: “Ai është një trajner që e njoh mirë dhe një njeri që kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të.”
“Ai është një profesionist në punën e tij, jo vetëm për atë që shfaq gjatë ndeshjes, por i vuan takimet shumë më pas, – ka vijuar ai. – Nëse ai punon shumë përpara një ndeshjeje, po aq shumë mendon edhe pasi ka përfunduar takimi. Madje, pas ndeshjes në Xhenoa patëm edhe një bisedë.”
Më pas Bogdani tregoi për të përditshmen në fjalë edhe për përshtypjet që strategu italian ka për Kombëtaren kuqezi. “Mendim absolutisht pozitiv, – ka thënë kryeqytetasi. – Ai më tha se ne kemi një Kombëtare që ka lojtarë të shumtë që luajnë në kampionate prestigjioze, madje edhe në Serinë A.”
“Gjithashtu më tha edhe se ishte impresionuar nga dëshira e treguar e lojtarëve në fushë. Sipas tij, Shqipëria ka lojtarë që mund të vënë në vështirësi çdo skuadër”, – ka përfunduar Bogdani, duke folur pas shortit të Eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, që e vuri Shqipërinë në një grup me Spanjën dhe Italinë.