Nga Gjergj Vyshka 27.07.2015 17:05
Kapaciteti i pallatit të sportit, gjendja e gatishmërisë së aparaturës, dhomat e zhveshjes me të gjitha kushtet e kërkuara, distancat mes stolave dhe fushës, apo dhe distanca e Pallatit të sportit me Aeroportin janë gjërat që duhen plotësuar deri më 20 shtator 2015. Infrastruktura e tanishme s’të jep shumë shanse për optimizëm. Pra duam të marrim pjesë në Eliminatoret e Evropianit, por përtej inferioritetit në nivel në përgjithësi të basketbollit të femrave me ndërkombëtarët, tashmë i bëhen “havale” basketbollit shqiptar edhe kushtet.
Kushte prej të cilave jo një herë, por disa herë Federata Shqiptare e Basketbollit dhe është gjobitur ndërkombëtarisht. Sepse e thënë dhe e stërthënë Pallatet e Sportit të mbetura gjithnjë në politikën e Bashkisë, herë majtas e herë djathtas, janë lënë në mëshirë të fatit. Dhe sot basketbolli nuk gjen një sallë që të plotësojë standardet e ndërkombëtarëve. Madje dhe për të marrë pjesë në Ligën Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, të paktën për Vllazninë pritet kostituimi i Bashkisë Shkodër, që gjithsesi nuk do të mund ta ketë mendjen tek basketbolli.
E jo më pas të mendohet për Pallate Sporti. Kushtet e kërkuara janë mbi tavolinën e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që kanë kohë deri më 20 shtator 2015 t’i plotësojnë ato. Por që në këtë rast nuk duhen lënë vetëm, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për kombëtaren e Shqipërisë. Ndërkohë tre gjyqtare femra, për herë të parë për basketbollin shqiptar, kanë marrë një mirënjohje për nivelin e paraqitjes së tyre në Slloveni, kurse Ledina Koçi është trajnerja shqiptare me licencën ndërkombëtare të FIBA-s.
Këto janë dy sukseset e verës për basketbollin shqiptar, sepse paraqitja e deritanishme e tre kombëtareve të djemve në Evropianin e moshave ka qenë për t’u harruar. Por gjithsesi ajo që shqetëson është kombëtarja e të rriturave, e cila mund të rezultojë dhe pa fushë, sepse asnjë Pallat Sporti në vend nuk plotëson kushtet e kërkuara nga Federata Botërore.