Adriatik Balla 27.07.2015 15:15
Ditët e fundit u tërhoq nga futbolli i luajtur njëri prej lojtarëve kryesorë të Vllaznisë, njëherësh mbrojtës i skuadrës kombëtares për disa vite, duke regjistruar shumë ndeshje me fanellën kuqezi. Elvin Beqiri “vari këpucët në gozhdë”, duke mos pranuar të negociojë me klubin uljen e pagës së tij, diçka që nuk duhej të kishte ndodhur, të paktën jo me të.
Në intervistën e dhënë për të përditshmen shqiptare, gazetën “SOT”, Beqiri kujtoi se klubi e pati mundësinë ta gjente gjuhën e bashkëpunimit me të, por mungoi dëshira. Megjithatë, mbrojtësi e kupton situatën dhe uron që Vllaznia të bëhet më mirë, pavarësisht se ai rendit disa argumente që sezonin e ri skuadra do të vuajë shumë dhe do të jetë në garë për mbijetesë e jo si pretendente për trofe.
Një mendim dhe për Kombëtaren e De Biazit, për të cilën Beqiri thotë se duhet të kontrollojë euforinë, si armikja më e madhe e përfaqësueses tonë në garat eliminatore. Ai ka fjalë të mira për lojtarët dhe stafin dhe e beson fuqishëm se këtë herë Evropiani është shumë afër. Ja intervista e tij për të përditshmen shqiptare, gazetën “SOT”, që AlbanianSport.com jua sjell në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa sot është e dyta.
…vijon nga dje
– Të flasim për diçka tjetër, për Kombëtaren. Ju keni qenë pjesë e saj dhe keni emocionet tuaja të mëdha nga ndeshjet e përfaqësueses. “CAS”- i Lozanës na “befasoi” (në fakt e meritonim) me trepikëshin për Shqipërinë. Duke e parë këtë situatë, ku ndodhemi me pikë të barabarta me Danimarkën e vendit të dytë, lojën dhe gjendjen e grupit, si e shihni të ardhmen e skuadrës në këto Eliminatore?
– Paraqitja e skuadrës kombëtare në këto Eliminatore ka qenë shumë e mirë. Ky ekip përcjell besim sepse ka rritje cilësore në lojë e rezultate. Për herë të parë ka realisht pretendime kualifikimi dhe kjo është e justifikuar pikërisht nga paraqitja e bërë. Sa i takon vendimit të “CAS”-it, ky trepikësh është një plus i madh dhe unë e shoh me optimizëm situatën dhe besoj se këtë herë do të kualifikohemi. Ndeshjet e mbetura janë duele nervash deri në fund. Janë ndeshje të karakterit psikologjik dhe mendoj se këtu jemi ne favoritë, pasi kundërshtarët kanë kuptuar se kjo skuadër nuk thyhet lehtë. Vendimtare duket ndeshja me Danimarkën, ku duhet të marrim pikë, qoftë dhe një barazim.
– Duke parë lojën dhe ecurinë e Kombëtares, çfarë këshilloni?
– Euforia është armikja jonë kryesore në kuadër të Eliminatoreve. Kjo gjë ka qenë dobësi edhe kur luaja unë në radhët e përfaqësueses. Ka qenë një defekt i përhershëm i Kombëtares, e cila entuziazmohet shpejt dhe në fund lëshon terren, duke mos realizuar objektivat. Trajneri Xhovani De Biazi duhet të kontrollojë euforinë e tepruar të grupit. Që të shkojmë në Evropian duhet që të marrim pikë në çdo ndeshje të mbetur. Me pak fjalë nuk duhet të humbasim. Janë dhe katër takime dhe të parën në radhë kemi Danimarkën. Pikërisht këtë ndeshje ne nuk duhet ta humbasim. Unë mendoj se duhet të marrim pikë edhe ndaj Portugalisë. Luajmë në fushën tonë dhe e kemi plus.
– Mendoni se mund ta përballojmë Portugalinë? Mos harrojmë se ajo vlerësohet më e mira e grupit…
– Pse të mos i marrim pikë? Ne e mundëm në ndeshjen e parë atë, kështu që s’ka asgjë të pamundur. Skuadra e De Biazit mund t’i marrë pikë çdo kundërshtari. Për mendimin tim, Shqipëria mund t’u marrë pikë të dy rivalëve, si Danimarkës, ashtu dhe Portugalisë. Nga një barazim në secilën ndeshje nuk do të ishte keq.
– Gjatë kohës që keni luajtur me Kombëtaren, kë do të veçonit ndeshjen më të mirë tuajën dhe cilën më të dobëtën?
– Varet si e shikon. Ka pasur raste kur kam luajtur shumë mirë dhe skuadra ka humbur, sikurse ka pasur raste kur kam luajtur dobët dhe ekipi ka fituar. Jam i mendimit se ndeshja me Gjeorgjinë në Eliminatoret e Botërorit 2006 ishte më e keqja, pasi dola me karton të kuq dhe skuadra e humbi atë takim. Ndër ndeshjet e mira mund të përmend dy fitoret e bujshme të Kombëtares, fillimisht me Rusinë në Shkodër, ku fituam 3-1 dhe me Greqinë në Tiranë të cilën e mundëm 2-1. Janë dy ndeshje që kanë pasur emocion të madh për mua.
– Kur shihni Kombëtaren dhe lojën e saj, cili nga mbrojtësit ju duket më afër që ju ngjan nga cilësitë?
– Lojtarë të ndryshëm kanë karakteristika të ndryshme, por besoj se Ajeti është ai që më ngjan më shumë. Është dhe Cana, një lojtar lider, një futbollist shumë i fortë.
– Shkodra ka nxjerrë vazhdimisht elementë cilësorë. Vllaznia ka qenë fidanishte e prodhimit të talenteve, por duket se kjo traditë është zbehur. Për më tepër, Vllaznia nuk shijon frytet e veta. Si do ta përkufizonit këtë?
– Shkodra gjatë këtyre viteve të fundit ka vijuar të prodhojë lojtarë, por fatkeqësisht ajo nuk ka fituar trofe. Kur kishim Valterin president (Valter Fusha, ish-president i Vllaznisë) ishim disa vite radhazi pretendentë për titull, madje u fitua edhe një kupë. Më vonë dikush mendoi se do të ishte më mirë me Bashkinë, por në këtë formë nuk eci. Talente Shkodra ka nxjerrë plot, por është mëkat që klubi nuk po gjen dot rrugën e duhur të suksesit. Megjithatë, prirem të besoj se kjo situatë do të kalojë dhe Vllaznia do të rikthehet në skenën e kampionatit si skuadër e denjë për trofe.
– Diçka për të shtuar në përfundim?
– Shumë gjëra mund të thosha, por dua të falënderoj familjen për mbështetjen, gjithashtu miqtë dhe sidomos fansat e Vllaznisë që ma bënë karrierën të pasur dhe më ndihmuan të jap kontributin tim në fushë gjatë këtyre viteve. U jam borxhli atyre për mbështetjen që më kanë dhënë. Ndërkohë, edhe pse kam vendosur të merrem me trajningun, për momentin kam nevojë për pushim dhe pastaj do ta mendoj se çfarë mund të bëj.