AlbanianSport.com 27.07.2015 13:25
ASNN – Vlonjati Sokol Kushta është shqiptari i fundit që i ka shënuar Spanjës dhe pikërisht në vitin 1993. Por sot, ai e sheh me një sy tjetër përfaqësuesen kuqezi, por ndërkohë nuk harron t’u kujtojë lojtarëve se sa më lart të ngjiten, aq më i ashpër bëhet futbolli. Në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare “Panorama Sport”, Kushta ka rrëfyer edhe emocionet që ka përjetuar teksa i ka shënuar Spanjës dhe portierëve të mëdhenj, përballjen me Italinë e Shpresave, si dhe pengun që i ka mbetur për një përballje me Italinë e të rriturve.
Shortin e Eliminatoreve të Botërorit 2018 për Shqipërinë ai e ka vlerësuar si “normal, si një short që pritej në bazë të vazos që ishte Shqipëria, pas rezultateve të arritura së fundmi. “Ne, në këto momente, jemi mes ekipeve të forta dhe, si të tillë, ndeshjet do t’i bëjmë me tre ekipe poshtë nesh, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. – Këtu nuk e kuptojnë se, sa më lart ngjitesh, aq më e fortë bëhet lufta. Për shembull, Italia ka problem Spanjën, ndërsa ne kemi problem dy ekipe, Italinë dhe Spanjën. Në bazë të rezultateve që kemi arritur, duhet të fitojmë me të tjerët,”
“Pra, duhet të kuptojmë që vazhdimësia duhet të vazhdojë dhe ne të konsolidohemi për pozicionin në renditje, – ka vijuar Kushta. – Këto ekipe janë elitare sot dhe ndër vite. Ndeshjet dinjitoze me këto dy kombëtare ne na çojnë ose na bëjnë një reklamë të papërsëritshme.” Duke rrëfyer emocionet e përballjes me Spanjën, madje shënimit të golit ndaj saj, vlonjati i brezit të artë të Flamurtarit dhe Kombëtares, kujton: “Në fillimet e mia kam luajtur kundër Italisë me Shpresat dhe ishte një eksperiencë e papërsëritshme, me Vialin, Mançinin, Vinjolën, etj.”.
“Por nuk na u dha rasti asnjëherë të luajmë kundër Italisë së të rriturve, – ka pohuar ai jo pa keqardhje. – Kurse kundër Spanjës kam luajtur shumë herë, edhe ndaj përfaqësueses, por edhe ndaj Barcelonës, që kishte 10 lojtarë në këtë përfaqësuese. Një lojtar ndihet mirë kur shënon kundër ekipeve të mëdha dhe portierëve dinjitozë. Unë kam pasur fat që ekipeve dhe portierëve të tillë u kam shënuar.” Kushta nuk ka pranuar ta cilësojë më të lehtë rrugën për Shqipërinë drejt Evropianit, sesa drejt Botërorit. Jo, Evropiani nuk është i lehtë”, – ka theksuar ai.
“Të lehtë e bëjnë lojtarët me lojën e tyre të bukur, – ka thënë vlonjati. – Po të vazhdojnë kështu, e meritojnë plotësisht vendin që mbrojmë në renditje. Të vazhdojmë me këto rezultate që kemi, domethënë, konsolidimin dhe vazhdimësinë e pozicionit të tabelës së ekipeve. Futbollistët kanë rastin më të mirë si profesionistë të shpalosin talentet e tyre dhe këto ndeshje iu hapin horizonte të reja në futboll. Mendoj se trajneri kuqezi, Xhovani De Biazi është gjithëpërfshirës, por, mbi të gjitha, është një profesionist që di të fitojë.”