AlbanianSport.com 26.07.2015 23:30
ASNN – Ditën e shtunë, pasi u hodh shorti për Eliminatoret e Botërorit 2018, mediat italiane kanë shkruar për kundërshtaret që Italia ka në grupin e saj, konkretisht për Shqipërinë. Spanja patjetër, por kujdes edhe nga Shqipëria. Kështu e paralajmërojnë mediat italiane përfaqësuesen e tyre pas shortit të Botërorit 2018. E përditshmja e mirënjohur sportive, “La Gazzetta Dello Sport” ka kaluar në stitë të gjithë kundërshtarët që skuadra e Antonio Kontes do të ketë në eliminatoret e ardhshme.
Duke e quajtur shumë të vështirë grupin G gazeta italiane shkruan se përveç Spanjës, të latërit duhet t’i bëjnë mirë llogaritë edhe kundër Shqipërisë. “La Gazzeta dello Sport” ka bërë edhe prezantimin e Kombëtares kuqezi, e cila do të jetë rivale e Italisë në këto eliminatore. “Shqipëria është një kombëtare në rritje, – shkruan ajo. – Falë fitores 1-0 ndaj Francës, ata renditen në vendin e 36-të në klasifikimin e FIFA-s, që është dhe renditja më e mirë në histori.”
“Është për t’u parë se si do të paraqitet kjo kombëtare e cila drejtohet nga një italian si Xhovani De Biazi, ish-trajneri i Torinos, Udinezes, Breshias dhe Levantes, dhe 3 pikëve në tavolinë pas ngjarjeve të Beogradit, – vijon “La Gazzetta Dello Sport”. – Shqipëria dhe Italia kanë vetëm një përballje mes tyre atë të 18 nëntorit të vitit 2014 në Xhenoa. Disa nga lojtarët e kësaj Kombëtareje luajnë në Itali si Hysaj, Memushaj, Berisha, Basha dhe Cana.”
“Ndeshja Itali-Shqipëri është thuajse një derbi, duke ditur se në stolin e skuadrës shqiptare është Xhovani De Biazi. Skuadra e tij është në ngritje të fortë dhe ka një gryup lojtarësh që nuk duhen nënvlerësuar. Kjo konfirmohet edhe nga 10 pikët që ka në eliminatoret e Euro 2016 si dhe nga vendi I 36-të në renditjen e FIFA-s”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport” , shkruhet në versionin e saj të printuar.
Në të njëjtën linjë janë edhe titujt në faqet e para të gazetave të tjera italiane. “Italia, Botërori në rrezik”, shkruan “Corriere Dello Sport”, duke nënvizuar se për të shkuar në finalet e Rusisë, skuadra italiane duhet të mundë Spanjën favorite, por duhet të ketë kujdes edhe nga rivalët e tjerë, sidomos Shqipërinë. Nuk ndryshojnë as komentet në të përditshmen sportive “Tuttosport”, që risjell në vëmendje miqësoren e 18 nëntorit të shkuar, ku Italia fitoi vetëm me një gol në fundin e ndeshjes kundër Shqipërisë.
Ajo thekson se në stadiumin e Xhenoas kishte më shumë tifozë shqiptarë. Më të ftohta të përditëshmet spanjolle, që nënvizojnë vetëm Italinë si rivalen më të fortë në grupin G të eliminatoreve të Botërorit 2018.