Gjergj Vyshka 07.10.2014 08:45
Nis Rrethi i 71-të Çiklistik i Shqipërisë me pjesëmarrjen e tetë ekipeve dhe rreth 60 sportistëve. Petrovski dhe Veliaj, fituesit e dy etapave të para. Drejtuesit më të lartë të sportit shqiptar i urojnë çiklistët nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Stefan Petrovski dhe Olsian Veliaj janë fituesit e dy etapave të para të Rrethit të 71-të Çiklistik të Shqipërisë, i cili ka nisur dje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” për të përfunduar të shtunën në Fier.
Është si gjithnjë një bashkëpunim i Federatës Shqiptare të Çiklizmit dhe presidentit të saj Skënder Anxhaku me bashkitë më të mëdha në vend, atje ku dhe do të kalojë dhe Rrethi. Por njëkohësisht është një ndërmarrje e madhe për këtë aktivitet, që për të dytin vit radhazi ka mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në këtë Rreth çiklistik, ndër më të rëndësishmet aktivitete të dyrrotakëve në vend, marrin pjesë 8 ekipe, atje ku ka dhe nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova, si dhe garojnë rreth 60 çiklistë.
Në hapjen e Rrethit, e cila është bërë dje pranë Galerisë së Arteve në Tiranë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kanë përshëndetur presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, ai i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, si dhe drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, Vladimir Gjoni. Të tre drejtuesit më të lartë të sportit shqiptar i kanë uruar sukses dhe “fair-play” i çiklistëve pjesëmarrës në këtë rreth. Por njëkohësisht i është thënë “Faleminderit” edhe policisë së Shtetit për gatishmërinë me anë të forcave të saj të rendit dhe rrugore për të mundur kryerjen me sukses të Rrethit të 71-të Çiklistik të Shqipërisë.
Në pesë xhirot e Bulevardit më i shpejtë ka qenë maqedonasi Petrovski. Më pas çiklistët janë zhvendosur tek “Casa Italia” pranë kthesës së Kamzës, atje ku dhe kanë marrë rrugën drejt Shkodrës.