AlbanianSport.com 26.07.2015 10:40
ASNN – Një tjetër humbje e thellë ka ardhur dje për Kombëtaren shqiptare të Nën-18-vjeçarëve në basketboll, pasi kuqezinjtë janë mundur me shifrat e thella 51-98 nga Polonia, e cila ka mposhtur kështu ekipin përfaqësues me 47 pikë diferencë.
Takimi ishte i vlefshëm për eliminatoret e Grupit A të Divizionit B të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe, turne që po zhvillohet në Austri. Humbja e djeshme ishte humbja e treta për Kombëtaren Nën-18-vjeçarëve në po kaq takime të luajtura deri më tani dhe Shqipëria nuk ka shkuar më shumë se vendi i fundit në grup.
Polonia i ka “treguar dhëmbët” që në pjesën e parë të takimit duke i mposhtur kuqezinjtë me rezultatin e thellë 33-8. Shqipëria nuk reagoi dot as në pjesën e dytë, në të cilën shënoi vetëm 11 pikë kundrejt 23 të realizuara nga kundërshtari. Pas pushimit, ritmi i takimit ra, pasi Polonia aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion.
Por edhe kjo nuk e pengoi për të fituar me rezultatin 21-13 në pjesën e tretë. Shqipëria e drejtuar nga i mirënjohuri Afrim Bilali reagoi vetëm në 10 minutat e fundit, mirëpo as në këtë fragment tanët nuk shënuan dot më shumë se kundërshtari, (19-21), duke u dorëzuar me rezultatin e përgjithshëm 98-51.
SHQIPËRI – POLONI 51-98
(8-33, 11-23, 13-21, 19-21)
SHQIPËRIA: Taflaj, Strazimiri, Qilimi, Gorea, Shaqiri, Haxhi, Tallushi, Lilaj, Sela, Zyka, Rakaj, Lekndreaj. Trajner: A. Bilali
POLONIA: Kapa, Shçibish, Ponitka, Kierleviç, Grushzhçijnski, Rutkovski, Seviol, Mijakovski, Kivishzha, Kolenda, Dzieza, Bender. Trajner: A. Kierleviç