AlbanianSport.com 13.07.2015 14:55
ASNN – Kampionati Evropian i Bilardos për vitin 2016 do të zhvillohet në Shqipëri. Për këtë qëllim, zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të këtij sporti, Dejvid Moris, ka ardhur në Tiranë dhe ka mbetur i kënaqur me kushtet që ofron vendi ynë për organizimin e kësaj veprimtarie. Në këtë Evropian do të marrin pjesë 160 bilardistë nga 30 shtete të botës.
Shqipëria do të jetë vendi organizator I Kampionatit Evropian të Bilardos, i cili do të zhvillohet nga data 20 korrik, deri më 20 gusht 2016. Ky vendim ka marrë formën e prerë tashmë dhe zëvendëspresidenti i Federatës Evropiane të Bilardos, Dejvid Moris, ka ardhur në Tiranë për të parë kushtet që ofron vendi ynë për organizimin e këtij eventi madhor.
“Shqipëria ka shumë për të dhënë në sportin e bilardos dhe puna e bërë nga Federata Shqiptare e këtij sporti ka qenë e madhe, – ka deklaruar ai për AlbanianSport.com. – Këto ishin edhe arsyet që ne vendosëm që ta organizojmë Evropianin e Bilardos në vendin tuaj.” Zëvendëspresidenti Moris ka sqaruar më tej edhe për pjesëmarrësit e shumtë që do të konkurrojnë në këtë veprimtari të rëndësishme sportiv.
“Janë 160 bilardistë nga 30 shtete, ata që do të vijnë në Shqipëri për të marrë pjesë në Evropian, – ka theksuar nr. i organizmit që qeveris bilardon kontinentale. – Do të konkurrohet në moshat paratërinj, të rinj, të rritur që i përket moshës mbi 40 vjeç dhe euro turi ku do të marrin pjesë bilardistë nga e gjithë bota. Kushtet dhe infrastruktura në Tiranë ishin mjaft të mira.”
“Për këtë falënderoj Federatën Shqiptare të Bilardos për punën e mirë që ka bërë në zhvillimin e këtij sporti”, – ka përfunduar Dejvid Moris, i cili do të vijë sërish në Tiranë për të vazhduar bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Bilardos dhe presidentin e saj, Edmond Loku, si dhe për të parë ecurinë e përgatitjeve për Kampionatin Evropian të këtij sporti.