AlbanianSport.com 11.07.2015 21:00
ASNN – Kapiteni i kombëtares gjermane, Bastian Shvajnstajger ka lënë pas 17 vitesh Bajernin e Mynihut për Mançester Junajtid, ku do të ribashkohet me trajnerin, Luis van Gal, deklaroi sonte drejtuesi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige.
Në një konferencë shtypi, Rumenige se mesfushori 30-vjeçar, e kërkoi transferimin gjatë takimit të një dite më parë dhe se Bajerni Mynihut e ka pranuar kërkesën për të nënshkruar marrëveshjen me 20 herë kampionët e Anglisë.
“Ne e kemi pranuar kërkesën dhe kemi rënë dakord për transferimin te Mançester Junajtid”, – tha Rumenige. “Ndiej keqardhje por e kuptoj se çdo lojtar kërkon një eksperiencë të re nga fundi i karrierës së tij”, – shtoi ai.
Nuk janë dhënë detaje, por njoftimet gjermane dhe ato angleze thonë se kampioni i botës, Shvajnstajger, do të nënshkruajë një kontratë trevjeçare në “Old Trafford”. Gazeta gjermane “Bild” vlerësoi shumën e transfertës në vlerën 20 milionë euro.
Rumenige foli për “një zgjidhje të drejtë për të dy palët”. “Ne kemi marrë në konsideratë meritën e Bastianit dhe bisedimet nuk qenë të vështira”, – shtoi drejtuesi bavarez. Bastian Shvajnstajger do t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor vetëm kur transferimi të jetë kryer zyrtarisht.