AlbanianSport.com 11.07.2015 17:45
ASNN – Trajneri Morten Olsen i Danimarkës, skuadrës që tashmë renditet në vendin e dytë me 10 pikë, po aq sa Shqipëria, në grupin I të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”, deklaroi se vendimi i CAS-it për t’i dhënë fitoren në tavolinë Shqipërisë është, për të, “i pakuptueshëm”. “Nuk e kuptoj aspak, pasi duket se gjërat shkojnë gjithmonë kundër nesh”, – tha ai për gazetën daneze “Ekstra Bladet”.
Legjenda e futbollit danez është shprehur pesimist prej vendimi që ka dhënë Arbitrazhi i Lozanës në favor të Shqipërisë. Ai ka deklaruar se nuk e kupton një vendim të tillë, megjithëse fill pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, pati deklaruar se Serbia duhej përjashtuar nga konkurrimi. “Unë nuk e kuptoj vendimin e dhënë nga CAS dhe më duket e me ne po përsëritet ajo që na ndodhi përballë Suedisë më 2007”, – ka thënë Olsen.
“Ky vendim na i vështirëson gjërat dhe do ta kemi të vështirë kualifikimin, – ka vijuar ai. – Ne duhet të fitojmë ndaj tyre në ndeshjen e shtatorit, por mendoj se duhet t’i marrim pikë edhe Portugalisë. Me këtë vendim ndihemi të shqetësuar, pasi rrezikojmë.” Më 4 shtator, Shqipëria do të luajë në transfertë pikërisht me Danimarkën, sfidë që mund të rezultojë vendimare për kualifikimin direkt të kuqezinjve.