AlbanianSport.com 11.07.2015 15:30
ASNN – Lajmi se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) i dha fitoren 3-0 në tavolinë Shqipërisë, duke hedhur poshtë vendimet e Komisioneve të UEFA-s ka bërë xhiron e botës. Agjencitë dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë vendimit të Gjykatës së Lozanës, duke nënvizuar pikërisht faktin se shkalla më e lartë e drejtësisë sportive i dha të drejtë Shqipërisë.
Të përditshmet italiane kanë theksuar se si CAS-i “përmbysi” UEFA-n, që më parë kishte marrë vendime shumë të diskutueshme dhe të polemizuara. Edhe mediat angleze, franceze dhe ato spanjolle i kanë lejuar hapësira lajmit se me tri pikët e marra në tavolinë, tashmë Shqipëria i afrohet më shumë kualifikimit për në fazën finale të “Euro 2016”-s.
Kështu, vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për t’i dhënë në tavolinë Shqipërisë fitoren e ndeshjes me Serbinë ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare. Për këtë çështje kanë shkruar mjaft gazeta, agjenci dhe faqe interneti, si tilla si amerikania “The Washington Post”, britanikja “The Guardian”, “Sky Sports”, “ABC News”, “Goal”, “Daily Mail” e shumë të tjera.
“The Washington Post” theksin e ka vënë te fakti se me vendimin e CAS-it, vendimi i mëhershëm i UEFA-s që Serbisë t’i hiqen 3 pikë mbetet në fuqi, duke bërë kështu që Serbia të mbetet e fundit në grup me -2 pikë, ndryshe nga Shqipëria që ka pikë të barabarta (10) me Danimarkën. Ndërkohë gazeta britanike britanik “Daily Mail”, përveç se ka raportuar për vendimin e CAS-it, ka dhënë edhe një sqarim.
Ky sqarim ka të bëjë me atë se çfarë paraqet flamuri që u shpalos mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit me mbishkrimin “Autochthonous”. “Shqiponja dykrenore, siç paraqitet në flamurin e Shqipërisë, është vënë në mes të së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” ku jetojnë shqiptarët”, ka shkruar ajo.