Nga Gjergj Vyshka 10.07.2015 21:00
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kampionët e botës në futbollin e femrave, ndërsa i gjithë kontinenti e jetoi finalen e Vankuverit, diku në orët e mëngjesit e diku në mbrëmje, si të ishte një festë e madhe sportive atje ku nuk pati humbës, por vetëm fitues. Sigurisht që fitoi Amerika, fanella e së cilës ka peshuar rëndë gjatë gjithë këtij botërori. Me një lojë marramendëse, katër gola për gjashtëmbëdhjetë minuta, amerikanet e mbaruan finalen ende pa nisur mirë.
Trigolëshi i Llojdit, shoqëruar me golin spektakolar nga rrethi i mesit të fushës, në një largësi nga porta prej rreth 50 metrash, ishin gjërat më speciale të kësaj finaleje. Holidej dhe Hiith më pas zhvlerësuan tentativën e japonezeve për të hapur lojën pas golave të Ogimit dhe autogolit të amerikaneve. Shkurt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin gjetur strategjinë për të mos e lënë në kontakt me topin shumë shpesh Japoninë, që deri në finale ishte shfaqur si një skuadër teknike dhe shumë racionale, por duke pasur dhe fatin me vete.
Kurse dje, ndoshta japonezet kishin zgjedhur dhe pjesën e gabuar të fushës, e cila në ¼ e saj ishte në rrezet e diellit çka e bën të pamundur lojën e skuadrës që mbron. Pikërisht në atë portë, brenda tre minutave, Anglia në turin çerekfinal tronditi skuadrën pritëse të këtij botërori, Kanadanë. Por Amerika kishte dhe një shans më shumë për të qenë fituese, jo thjesht për t’u hakmarrë për atë finale të humbur me 11-metërsha katër vjet më parë në Frankfurt. Mbështetja maksimale e tifozerisë amerikane ka luajtur rolin e vet, ndërsa 53 mijë shikues në stadiumin e Vankuverit kanë festuar me amerikanet.
E humbja e finales nga kampionet në fuqi të Japonisë tregon se Anglia është aksidentalisht e treta e këtij botërori. Autogoli i Laura Baset në sekondat e fundit të gjysmëfinales do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga futbollistja, e cila gjithsesi ishte pjesë e formacionit titullar në ndeshjen për vendet 3-4 ndaj Gjermanisë, por nga të gjithë si momenti për të “qarë” e për të “qeshur” në këtë Botëror. E gjithë paraqitja e këtij Botërori njëmujor në Kanada, por dhe pesha e rëndë e Amerikës, ishte një lehtësim për t’u kthyer tek futbolli i pastër dhe i vërtetë.
Që në të vërtetë femrat e prodhuan… Dhe pavarësisht orarit të papërshtatshëm për Shqipërinë i duhet thënë “faleminderit” Radio-Televizionit Shqiptar që transmetoi gjysmëfinalet e finalen, si dhe shansit të madh që patëm për ta parë këtë Botëror nga Eurosport, ARD dhe ZDF. Sepse bota e do futbollin e femrave
Çfarë na duhet ne për të qenë ndryshe?
Është e qartë që pjesa më e madhe e skuadrave pjesëmarrëse në këtë Botëror jo vetëm që kanë vite që e luajnë futbollin e femrave, por dhe kanë struktura që e ndihmojnë në vazhdimësinë e mbajtjes gjallë të kombëtareve. Të shtunën përfundoi Kampionati Evropian i Nën-17-vjeçareve në Islandë për femra, të cilën Spanja e fitoi pasi mundi 5-2 Zvicrën. Po të njëjtin rezultat përsëriti dhe Amerika në Botërorin e Kanadasë ndaj Japonisë, ndërsa pas pak ditësh do të fillojë edhe Evropiani i Nën-19-vjeçareve në Izrael.
Ne kemi vite që luajmë kampionatin e të rriturave dhe Kupën e Shqipërisë, shoqëruar me pjesëmarrje në Kupat e Evropës, apo dhe me kombëtaren në arenën ndërkombëtare. Si për të rritura, ashtu dhe për Nën-19-vjeçaret, ndërsa me këto të fundit vazhdojmë të konkurrojmë në Evropë ende pa pasur kampionat të rregullt. A luhet futbolli nga vajzat në Shqipëri? Ramazan Konçi, mësues fizkulture prej 32 vjetësh, por i njohur për nuhatjen e tij si qëmtues talentesh tregon se në shkollën 9-vjeçare “Skënder Çaçi” ekziston një grup vajzash që e luajnë futbollin më mirë se djemtë.
“Sikur të më linin do t’i stërvitja pa asnjë fitim, por prindërit nuk duan. Të shohim sivjet që do të jenë në klasën e tetë”, – thotë jo me pak keqardhje Konçi, që vite më parë ka qenë edhe trajner e ndihmëstrajner i futbollit të sallës. Por sikur të gjithë mësuesit e fizkulturës në vendin tonë të ishin po kaq sy mprehtë, çfarë do të kishim sot në futbollin e femrave? Thuhet për shtim të orëve të fizkulturës dhe hapje të mjediseve sportive jashtë orarit të shkollës. Por nëse pranojmë që volejbolli e basketbolli luhet nga femrat, pse s’duhet luajtur prej tyre edhe futbolli?
Sot nuk është turp të mundësh dhe duke pësuar dhjetë gola, pasi kështu i ndodhi Bregut të Fildishtë nga Gjermania e Ekuadorit nga Zvicra. Por të dish të ngrihesh dhe të marrësh nxitje nga një botëror që sapo ka përfunduar. Ne duhet të jemi krenar që kemi pasur kundërshtar në grupin kualifikues Norvegjinë e Holandën, pavarësisht se na kanë mundur respektisht 0-7 e 0-11 nordiket e 0-4 e 1-10 holandezet, që u skualifikuan në 1/8 e finaleve. Sikundër duhet të ketë shërbyer për trajnerin e kombëtares së femrave, Altin Rraklli, për të parë më nga afër Francën.
Kjo e fundit mbërriti deri në çerekfinale, ndërsa në nëntor do të jetë në Tiranë. Le të shërbejë ky botëror për të nxitur një strategji zhvillimi të futbollit të femrave në vend, sepse paratë e ardhura nga UEFA dhe FIFA ekzistojnë, por duhet vullneti. Mjafton të vihen hallkat në lëvizje, të ndergjëgjësohen prindërit dhe vajzat të jenë në fushë. Sepse që të kemi një futboll cilësor femrash, me një strategji të qartë zhvillimi që nga fëmijët, duhet të ekzistojë si parim tek të gjithë: Nesër do të jesh dhe ti në Kampionatin Botëror…