AlbanianSport.com 09.07.2015 16:50
ASNN – Skënderbeu ka nisur përgatitjet në Korçë, në pritje të Ligës së Kampioneve, ndërsa trajneri Mirel Josa ka vlerësuar kundërshtarin. Kampionët e Shqipërisë, futbollistët e Skënderbeut u kthyen pas gati dy muajsh në Korçë dhe nisën stërvitjen në qytetin e tyre, në përfundim të pushimeve të verës dhe fazës përgatitore kaluar në Austri.
Të suksesshëm në kampionatin vendas dhe tashmë me përvojë në Evropë, ata duken me moralin e duhur kur vetëm disa ditë i ndajnë nga ndeshja e parë e turit të parë eliminator në Ligën e Kampionëve. Kjo, edhe pse sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi nuk ishte me ta në seancën e parë në Stadiumin “Skënderbeu”, por pritet të bashkohet shpejt me skuadrën.
Trajneri Josa nuk është i shqetësuar as nga 6 humbjet në ndeshjet miqësore. Madje ai është i kënaqur që ka pasur pak dëmtime dhe lojtarët e dëmtuar, ndoshta mund të jenë gati. Mirel Josa e respekton kundërshtarin, edhe pse Krusejdërsi nga Irlanda e Veriut quhet ekip modest. Skënderbeu do të luajë të martën e 14 korrikut 2015 në Korçë ndaj irlandezoveriorëve, me ndeshjen e kthimit pas një jave në fushë të huaj.
Kampionia e Shqipërisë cilësohet favorite për të kaluar në turin e dytë.